Haradinaj: I kemi votat për Qeverinë, nuk bëhet fjalë për kontrabandim deputetësh

E publikuar: 23/06/2017 21:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për Kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar formimin e shpejtë të Qeverisë së udhëhequr nga ai. Thotë se kjo Qeveri do të jetë e suksesshme dhe do të ketë mandatin 4 vjeçar.

Haradinaj ka thënë se koalicioni PDK-AAK-Nisma i ka siguruar 61 vota plus për formimin e qeverisë.

Haradinaj thotë se nuk bëhet fjalë për kontrabandim të deputetëve por për vullnet të lirë të bazuar në respekt.

“Ajo që mundem me e konfirmuar sot është që ne kemi vota për Qeverinë, 61 + e kemi me votë të dakordume, të konfirmuar me pakicat dhe deputetë të tjerë të zgjedhur’, tha Haradinaj për emisionin ‘Argument Plus’ të RTV21.

“Duhet të gjithëve të ju them: Bëhuni gati për një Qeveri Haradinaj. 4 vjet keni me e pas në Kosovë. Bëhuni gati për ti pranuar rezultatet e kësaj Qeverie, e cila ka me qenë më e mirë për fëmijët e tuaj”, theksoi ai.

Ai komentoi edhe deklaratat e VV-së dhe LDK-së që kundërshtojnë koalicionin me PDK-në.

“Situata është pak më ndrysh, këto janë deklarime pas zgjedhore ende në atë frymën e zgjedhjeve. Situatat janë çdo herë e më evolutive dhe situata nuk është krejt ashtu siç po prezantohet në media. Unë në këtë rast përfaqësoj vetveten, Aleancën, koalicionin por jam mandatar. Do të thotë e kam të drejtën që të negocioj dhe palët që negociojnë me mu nuk kanë nevojë për të negociuar me askënd tjetër për rreth meje”, tha Haradinaj.