Haradinaj i gëzohet vendimit të PDK’së për Ligjin e Rimëkëmbjes, fton të votohet në Kuvend

E publikuar: 02/12/2020 14:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se pret dakordim ndërmjet partive politike për votimin e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Haradinaj ka shkruar në Facebook se miratimi i këtij Ligji do të jetë ndihmë për ekonominë në kohën në të cilën po kalon Kosova.
“Pas një vonese të gjatë, mirëpres dakordimin e forcave politike për votimin e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike. Izolimi për shkak të gjendjes pandemike ka qenë i tmerrshëm si për bizneset dhe ekonominë, ashtu edhe për të gjithë qytetarët në përgjithësi. Miratimi i këtij ligji të premten, përpos se është lajm i mirë për vendin, do të jetë një ndihmë për ekonominë, e domosdoshme për kohën në të cilën po kalojmë”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PKD’së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar sot se partia e tij do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për të votuar Ligjin për Rimëkëmbjen.
Hoxhaj tha se PDK do të kërkojë përkrahjen e deputetëve për ta kaluar Ligjin në lexim të dytë në Kuvend.

“PDK do të iniciojë një seancë të jashtëzakonshme, presim që edhe partitë tjera ta votojnë një Projektligj të tillë që është mbështetur në Komision”, ka deklaruar Hoxhaj.

Nndërkohë,në komisionin për Buxhet dhe Transfere, sot ka kaluar Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, raporton Express

Projektligji ka kaluar me kushtet të cilat i ka vendosur Partia Demokratike e Kosovës.

“Pako për bizneset të jetë 200 milionë euro; Pagesa për punëtorët që e kanë humbur vendin e punës me nga 300 euro; Heqja e TVSh-së për lëndën e parë dhe dhe rimbursimi i mjeteve për 10% nga Trusit për ata që kanë deri në 10 mijë euro”, janë kushtet e propozuara nga PDK-ja.

Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.