Haradinaj flet për planin e tij për luftën kundër korrupsionit

E publikuar: 29/03/2018 11:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është mbajtur takimi i shtatë i nivelit të lartë të Sundimit të Ligjit, nën kryesimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ku punën e tyre dhe objektivat i paraqitën Policia e Kosovës dhe Agjencia Kundër Korrupsionit.

Kryeministri Haradinaj tha se sistemi ynë i drejtësisë është në proces të ndryshimit dhe ne duhet të përshpejtojmë këtë ndryshim duke përmirësuar performancën e secilit institucion dhe për këtë duhet bërë më shumë në luftën kundër korrupsionit që sundimi i ligjit të jap rezultate konkrete.

Duke folur për agjendën legjislative, kryeministri Haradinaj, tha se në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës duhet përshpejtuar agjenda legjislative ku është e domosdoshme që të procesohen ligjet dhe dokumentet e rëndësishme të reformës legjislative që kanë të bëjnë me këtë fushë.

“Policia e Kosovës gëzon besim të lartë nga qytetarët tanë. Është një institucion kredibil nga ku edhe fillon e tërë përpjekja jonë për ta luftuar krimin”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar institucionet ndërkombëtare për mbështetjen e vazhdueshme dhënë institucioneve të vendit, veçmas Policisë së Kosovës.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, pas prezantimit të punës, aktiviteteve dhe objektivave të Policisë së Kosovës, shpalosi të dhëna konkrete të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duke treguar se deri tani janë hetuar 438 vepra penale kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit dhe është duke u punuar në luftën kundër terrorizmit, konfiskimit të narkotikëve dhe në shumë fusha që ndërlidhen me punën e Policisë së Kosovës.

Në këtë takim u tha po ashtu se në fushën e luftimi të krimit ekonomik dhe korrupsionit janë organizuar 9 operacione policore, 28 plane operative, janë arrestuar 91 persona të dyshuar, janë ngritur 370 kallëzime penale dhe janë shkatërruar 7 grupe te organizuara kriminale. Poashtu, janë mbajtur 1 mijë ligjërata në shkolla, janë nënshkruar 75 marrëveshje me 18 shtete dhe 5 zyra ndërlidhëse.

Duke përmendur sfidat me të cilat përballet Policia e Kosovës, drejtori Maxhuni tha se sfidë mbetet anëtarësimi i Policisë së Kosovës në INTERPOL dhe EUROPOL, mosha mesatare e policëve dhe mungesa e automjeteve dhe helikopterëve.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli tregoi se në bazë të ligjeve në fuqi, të obliguar për të deklaruar pasurinë janë 6 242 zyrtarë të lartë publik, 886 zyrtarë i janë nënshtruar kontrollit të plotë, në 563 raste nuk është vërejtur ndryshime, në 340 raste janë vërejtur ndryshime dhe janë kërkuar sqarime shtesë, në 115 raste janë proceduar me kallëzim penal dhe 1 rast është përcjellë në Administratën Tatimore të Kosovës. Sa i përket konfliktit të interesit janë trajtuar 166 raste, në 79 prej tyre është shmangur konflikti, 21 raste kanë rezultuar pa konflikt, 31 raste janë përcjellë për hetim në procedurën e hetimeve paraprake, 1 rast është iniciuar si kundërvajtje dhe kërkesë për shkarkim.

Ministri i Drejtësisë, tha se është duke u përmirësuar pakoja e ligjeve për luftimin e korrupsionit si dhe kërkoi rritje të efektivitetit përmes rishikimit të listës së zyrtarëve që deklarojnë pasurinë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë respekt për Policinë e Kosovës dhe shtoi se të gjithë duhet të mësojnë nga sukseset por edhe nga sfidat.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se Policia e Kosovës dhe Agjencia Kundër Korrupsionit janë akterë të rëndësishëm për sundimin e ligjit dhe agjendën evropiane. Bashkimi Evropian ka qenë aktiv në ngritjen e kapaciteteve në polici dhe se janë të kënaqur që Policia është njëri nga institucionet kredibile në vend dhe se do të vazhdojë mbështetjen për këto dy institucione.

Në takimin e sundimit të ligjit morën pjesë edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou si dhe përfaqësuesit e Prokurorisë, Gjyqësorit, të Policisë dhe të Doganës së Kosovës./insajderi/