Haradinaj: Është fat i madh që Dogana vazhdon të jetë institucion kredibil

E publikuar: 30/08/2019 14:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e 20 vjetorit të themelimit të Doganës së Kosovës.

Ai ka thënë se është fat i madh që ky institucion vazhdon të mbetet kredibil dhe që mbron shtetin e Kosovës.

“Jam thellë i bindur se kushdo që hynë në Kosovë kur ju takon juve fiton respekt për vendin dhe popullin tonë, përmes juve, dhe ju falënderojmë për prezantimin e parë që i bëni Kosovës, për punën e mirë që bëni jo vetëm duke siguruar se Kosova ka të hyrat që i takojnë në bazë të ligjit përmes qarkullimit të mallrave, hyrjes së mallrave në Kosovë, por edhe duke mbrojtur Kosovën nga të gjitha rreziqet që i kanosen në kufij”, ka thënë Haradinaj.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se dogana është partnere e gjithë afaristëve, sipërmarrësve, ekonomisë së vendit, sepse i mundëson atyre qarkullim të shpejtë të mallrave dhe të të mirave të tyre.

“Është fat i madh që institucionet e sigurisë në Kosovë janë të besueshme, duke filluar nga ushtria, institucionet e rendit dhe ligjit, policia, inteligjenca, dogana dhe institucionet tjera që kanë mision ruajtjen e rendit dhe ligjit në vend. Mund të bëjnë më shumë në të ardhmen dhe ju ftoj që të jemi bashkë në këtë drejtim”.