Haradinaj: Besova në Kurtin dhe VV-në, por jam i zhgënjyer deri në palcë me qeverisjen e tyre

E publikuar: 13/07/2022 18:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinja, ka thënë se është i zhgënjyer deri në palcë me qeverisjen e Albin Kurtit, në të cilin, siç tha ai, ka besuar.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj, tha se me Ligjin e Ri të Pagave të miratuara nga qeveria e tij, e për të cilën, siç shkruan ai, e ka bllokuar Albin Kurt, një mjek specialist do ta kishte pagën bazë 1200.

“Sot e ka 703 euro. Kjo i bjen që Qeveria Kurti, e ka dëmtuar secilin prej tyre nga 6045 euro për vit. Natyrisht pa e kalkuluar inflacionin vjetor prej 14.1 %, i cili do të duhej të ishte harmonizuar me rritjen vjetore të pagave. Ngjashëm është edhe më të gjitha kategoritë tjera të të punësuarve, një numër jo i vogël i të cilëve tashmë e kanë marrë rrugën e mërgimit”, shkroi kreu i AAK-së.

Ai tutje thotë se Qeverisë i janë rritur të hyrat, por u janë zvogëluar qytetarëve.

Lexoni më poshtë postimin e plotë

Kam qenë ndër të rrallët në mos i vetmi që kam folur hapur se Kosova kishte nevojë për rotacion të pushtetit. Kam besuar se Albin Kurti dhe Vetëvendosje do të ishin zgjidhje e duhur, por sot jam i zhgënjyer deri në palcë me qeverisjen e tyre!

Po si nuk e kryen një punë të hajrit për një vit e sa që janë në qeveri!?

Si e bllokuan ligjin e pagave, që nuk është tjetër pos hajni ordinere ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve, punëtorëve…

Me ligjin e ri të pagave të miratuar nga qeveria ime, të cilin e ka bllokuar Albin Kurti, një mjek specialist do ta kishte pagën bazë 1200 euro. Sot e ka 703 euro. Kjo i bjen që Qeveria Kurti, e ka dëmtuar secilin prej tyre nga 6045 euro për vit. Natyrisht pa e kalkuluar inflacionin vjetor prej 14.1 %, i cili do të duhej të ishte harmonizuar me rritjen vjetore të pagave. Ngjashëm është edhe më të gjitha kategoritë tjera të të punësuarve, një numër jo i vogël i të cilëve tashmë e kanë marrë rrugën e mërgimit.

Nuk ka asnjë shpjegim logjik, se pse kjo Qeveri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për mbajtjen, sado kudo nën kontroll, të rritjes enorme të çmimeve. Qeverisë i janë rritur të hyrat, por u janë zvogëluar qytetarëve. Nga punët e Qeverisë Kurti, kanë mbetur vetëm deklaratat qesharake të eksponentëve të saj, se “pagat në Kosovë janë rritur më shumë se sa çmimet”. Kam dashur shumë që kjo qeveri të ketë sukses, por ajo sot është shndërruar në qeverinë më antipopullore që ka pasur Kosova ndonjëherë.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!