Haradianaj: Dialogu i Mogherinit nuk ekziston, tashmë kemi format të ri me Francën dhe Gjermaninë

E publikuar: 30/04/2019 18:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në samitin e 29 prillit në Berlin, është fundosur ideja e Hashim Thaçit dhe Aleksander Vuçiqit për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për T7, ai thotë se duke filluar nga 29 prilli dialogu që e ka udhëhequr Mogherini më nuk ekziston, pasi që tashmë Gjermania dhe Franca e kanë marrë në dorë atë.

“Mendoj që e ka takimi në Berlin ndalë atë devijimin e më tejmë të dialogut, ose shkumjen në drejtim të gabuar të proceseve në rajon, sidomos të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Me djehën është parë qartë që dialogu që është udhëheq nga Mogherini nuk ekziston si i tillë. Ka kaluar në një format të ri ky dialog, tashmë është dyshja Berlin-Paris që e kanë marrë një rol sa i përket BE-së. Po ashtu është vlerësuar që përkrahja e SHBA-së është e rëndësishme edhe në fund si garantues, mirëpo me djehen ka ndryshu, sepse nuk ka biseda për kufijë e territore, nuk bëhet fjalë më. Bëhet fjalë për njohje Kosovë-Serbi. Por për procesin se si do të arrihet deri tek njohja, kanë mbetur ende dilema”.

Ai ka thënë se e falendëron qëndrimin e pa lëkundur të Gjermanisë ,që të mos e lejojë dialogun të shndërrohet në një proces të pazareve më kufij.

Ai thotë se tashmë e vetmja gjë që do të diskutohet në tavolinë me Serbinë është njohja reciproke.

“Prej kancelares Merkel ka qenë në vazhdimësi si qëndrim. E falënderoj qëndrimin e vazhdueshëm që mos me leju që procesi i dialogut, të kthehet në proces të pazareve më territore e kufij, ai kthehet prap në atë që ka mbetë, që është njohja e pavarësisë. Njohja nuk është fundi, por është fillimi i raporteve Kosovë-Serbi. Tash të gjithë e dijmë, që askush më nuk ulet në tavolinë për asnjë çështje, përveç për njohjen e pavarësisë”, ka shtuar kryeministri .

Kreu i Qeverisë thotë se në momentin që Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës, ai do të heq taksën mënjëherë.

“Ne kemi humb shumë në vitin 1999. Kosova nuk ka cka humb ma shumë se sa në vitin 1999. Mirëpo mund të fitojmë të gjithë nëse i kthehemi paqes, dhe jemi të interesuar për njohje reciproke, për tregti të lirë, pra hiqen edhe tarifat në rast të njohjes. Kjo është e ardhmja”, ka thënë ndër të tjera Haradinaj.

Sot ka reaguar zëdhënsja e Mogherinit, Maja Kocijancic, duke thënë se BE-ja është i vetmi institucion që udhëheq dialogun, kur është pyetur për një format të ri të dialogut Prishtinë-Beograd./Express/