Hamza: Votuesi i PDK-së mund të mos votojë fare, por s’voton parti të tjera

E publikuar: 24/12/2020 22:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, nuk po i beson fort sondazhit të UBO Consulting, që u prezantua mbrëmë në Rubikon të Klan Kosovës, që e nxori Vetëvendosjen të parën me 46,2 % e PDK-në të dytën me 16 %.

“Fillimisht duhet të shihet se sa është numri i votuesve që do të dalin në zgjedhje. A do të jetë numri i njëjtë që ka qenë, apo do të jetë numër më i madh i votuesve, sepse kjo ka shumë ndikim. 46 % është ndryshe nëse është në 800 mijë, 900 mijë, apo 1 milion votues”.

“Nëse një subjekt politik në zgjedhjet e kaluara i ka pasë 220 mijë vota të cilat kanë qenë edhe si rezultat i votave nga diaspora, atëherë është e rëndësishme të dihet se a janë të përfshira votat e diasporës ose jo. Në atë rezultat ka ndikuar edhe prezenca në listë e Mimoza Kusari-Lilës e cila i ka pasë në atë moment një pjesë të votave që lidhen me të dhe Alternativën, pastaj është edhe shkrirja e AKR-së në Vetëvendosje”.

Hamza, po në Rubikon të Klan Kosovës, ka thënë se nuk pret që ky do të jetë rezultati real i zgjedhjeve të parakohshme që priten të mbahen në muajin janar ose shkurt.

“Në praktikë nuk do të ndodhë kështu. Nëse nisemi nga numri i njëjtë i votuesve del që nëse janë 850 mijë votues dhe nëse në zgjedhjet e kaluara Vetëvendosja i ka pasë 220 mijë vota tash duhet t’i ketë edhe 200 mijë vota të tjera. Kjo e do një analizë tjetër. Ku i merr këto 200 mijë vota? A janë votues të rinj, apo ia ka marrë LDK-së, PDK-së ose të tjerave?”.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, kur ka folur për rrëshqitjen e votuesve nga zgjedhjet e kaluara, është shprehur i bindur se një votues i PDK-së mund të abstenojë në këto zgjedhje, por asesi të votojë për një parti tjetër.

“Votuesit e PDK-së nuk e votojnë dhe nuk kthehen të votojnë parti të tjera, në këtë rast LDK-në, Nismën, apo parti të tjera. Mund të abstenojë, por nuk del me e ndërru partinë. Kur i shohim partitë e vogla edhe të mendosh që prej PDK-së, kur po shihet trendi, shkon e voton Nismën mendoj që logjikisht shihet si e pamundur”.