Haki Abazi e mbron Xhavit Halitin në Komision, përplaset me Fitore Pacollin

E publikuar: 30/11/2021 13:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli dhe Haki Abazi janë përplasur sot në mbledhjen e Komisioni për Punë të Jashtme, raporton Ekonomia Online.E tëra kjo nisi gjatë kohës sa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti po kërkonte nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla që të përgjigjej në pyetjet që i parashtroi ai, në mbledhjen raportuese të saj.

Deputetja Pacolli e tërhoqi vërejtjen që siç tha ajo, të diskutojnë për çështje profesionale.“Ne detyrohemi me e lëshu sallën dhe me e lanë pa kuorum. Kështu që të lutem, e tërheq vërejtjen sepse janë çështje profesionale që ne duhet t’i adresojmë këtu. Është politika e jashtme, është puna e ministres që po raporton e jo çështje personale të juaja”, ka thënë Pacolli.

E pas kësaj deklarate të Pacollit, ka reaguar kryetari i Komisionit nga VV-ja, Haki Abazi. Ai i tha Pacollit se është e drejtë e deputetëve që të parashtrojnë pyetjet që duan pavarësisht përgjigjeve të ministres.Ky reagim i Abazit erdhi pas tërheqjes së vërejtjes së Pacollit ndaj deputetit Haliti.

“Veç pak, veç pak. Ne edhe në të kaluarën kemi pasur tentime për ballafaqim, por është e drejta e secilit këtu me shpreh opinionin e vet. Mendoj që demokraci parlamentare. Z.Haliti i ka mendimet e veta. Është deputet i Parlamentit.

Mundemi me gjetë rastin dhe me ju përgjigj për ato që janë për t’u përgjigjur këtu, edhe në seancë të mbyllur. Është në diskrecionin e një deputeti të ketë shtruar çështja që mund të jenë çështje e brengosjes së tij apo të saj, ose edhe të anëtarësisë. Kështu që kërkojë mirëkuptim për punën e adresimit prej zonjës Pacolli, znj. Time Kadrijaj që e kërkoi fjalën”, ka thënë Abazi.