Gucati në Tribunalin Special: S’kanë pasur nevojë të më arrestojnë, do të kisha ardhur vetë

E publikuar: 01/10/2020 15:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është paraqitur në seancën e parë gjyqësore në Tribunalin Special. Gjykatësi Nicolas Guilloi ka treguar se kishte lëshuar urdhërarrest ndaj Gucatit për akuzat që më pas i lexoi. Ai tregoi se Gucati paraprakisht ka paraqitur 4 kërkesa në Dhomat e Specializuara, të cilat tha se do të trajtohen.

Gucati tha se ai dhe familja e tij nuk kanë qenë të informuar paraprakisht se do të arrestohej, ndërsa tha se do të paraqitej vetë në Dhomat e Specializuara po t’i dërgohej një ftesë, raporton Gazeta Express.
Nuk jam informuar për arrestimin deri kur ka ardhur Policia e EULEX’it në zyrën time… Kanë mundur vetëm të më njoftojnë mua apo edhe dikë të familjes, s’ka pasë problem. Nuk kanë pasur enevojë të hyjnë në atë formë Policia e EULEX’it në organizatën e veteranëve. Kanë mundur të më njoftojnë mua dhe do isha dorëzuar vetë”, tha Gucati

Më parë, ai konfirmoi se fletarresti i është kumtuar në ditën e arrestimit.
“Fletarresti më është komentuar në ditën e arrestimit”, pohoi Gucati.

Paraprakisht, ai ka kërkuar që të mos i bëhen fotografi ku duken pjesëtarët e sigurimit përreth tij, ndërsa në përgjigje, ka konfirmuar se ditën e arrestimit i është prezantuar fletarresti i lëshuar nga Dhomat e Specializuara.

Gucati ishte arrestuar të premten e kaluar në zyrën e tij në OVL të UÇK-së në Prishtinë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurë.