Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, thotë se nuk kanë pasur forcë më herët për ta rrëzuar qeverinë Kurti, ndërsa kërkoi më shumë vota në zgjedhjet që vijnë në mënyrë që të fitojnë pushtetin.
“Neve qytetarët na kanë votuar për 19 për qind, ne s’kemi pasur forcë për ta rrëzuar më herët këtë qeveri, ky është një realitet. Prandaj ne kërkojmë sot më shumë vota, që nesër të qeverisim Kosovën”, u shpreh ai në “DPT te Fidani”.
Gruda vlerëson se gjatë këtij mandati për dallim me VV-në në të kaluarën, kanë shfaqur një mënyrë tjetër të bërjes së opozitës, për të cilën thotë se kështu i kanë shërbyer vendit.
“Njerëzit kanë pritur që ne të sillemi si VV-ja në opozitë, por ne nuk e bëjmë atë. Mendoj që një shërbim që i kemi bërë Kosovës gjatë këtyre katër vjetëve ka qenë ndërrimi i mënyrës së opozitbërjes. Ne në vend të gurëve dhe në vend të vezëve dhe dhunës kemi sjellë argumente, propozime për secilën çështje, kemi mbrojtur kushtetutën dhe jemi treguar të arsyeshëm duke mbrojtur interesin e shtetit”, deklaroi ai.