Gruaja e serbit të arrestuar nga policia serbe: Dhjetë ditë nuk e dija nëse burri im është gjallë

E publikuar: 21/04/2023 10:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I.N., bashkëshortja e D.N. nga Leposaviqi, i cili u arrestua nga autoritetet serbe më 10 prill, ka deklaruar se bashkëshorti i saj është arrestuar vetëm për shkak se ajo është kandidate për këshilltare në listën e Partisë së Serbëve të Kosovës.

I.N. ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” se sulmet ndaj familjes së saj kanë vazhduar prej muajsh, që nga momenti kur është dashur të riregjistrojnë veturën e tyre me targa RKS.

“Bashkëshorti im është arrestuar nga dy persona të maskuar në vendkalimin kufitar në Jarinje, kur ne po ktheheshim nga Kragujevci. Për dhjetë ditë nuk e dija se ku ishte dhe nëse është gjallë. Vetëm dje nga avokati i Ivan Niniqit mësova se ai është në burgun e Beogradit”, ka thënë ajo, transmeton Paparaci.

N.I. ka thënë se kishte mbetur vetëm me tre fëmijë dhe se ishte shumë e shqetësuar për sigurinë e familjes.

“Burri im nuk është kriminel, ai ka punuar si polic në veri të Kosovës deri para disa muajsh, kur si gjithë të tjerët, e braktisi punën me urdhër të Listës Serbe dhe Beogradit. Ai është arrestuar sepse unë jam kandidate për këshilltare në listën e Partisë së Serbëve të Kosovës”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se shtëpia e tyre ishte djegur para disa muajsh.

“Kur na ka skaduar regjistrimi në targa KM është dashur ta riregjistrojmë veturën në targa RKS, sepse nuk kemi mundur të marrim targa të reja KM. Pas disa ditësh, shtëpia jonë u dogj. Unë jetoj në një frikë të madhe, edhe pse familja ime nuk i ka bërë asgjë të keqe askujt. Kam frikë ta kaloj natën me fëmijët në shtëpi”, është rrëfyer I.N.