Grenell për Kurtin: S’është lider i mirë, besoj që kështu mendon edhe qeveria aktuale amerikane

E publikuar: 15/07/2022 12:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-emisari special i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ka thumbuar edhe njëherë kryeministrin Albin Kurti.Ai ka thënë për Kurtin që nuk është lider i mirë për kosovarët dhe se këtë mendim beson se e ka edhe qeveria aktuale amerikane.“Nuk mendoj që është lider i mirë për popullin e Kosovës, liderët tjerë ishin më të mirë”, ka thënë Grenell për gazetën serbe “Politika”.

“Nuk është ky vetëm mendimi im, besoj që edhe qeveria aktuale amerikane e sheh në këtë mënyrë po ashtu”.Grenell tha se Kurti as që arriti të futej në Shtëpinë e Bardhë dhe se një gjë e tillë nuk do të ndodhte nën administratën e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

“Mos harroni që ai shkoi në Uashington, dhe as që arriti në Shtëpinë e Bardhë, s’u fut brenda. Ai ishte buzë rrugës me stafin administrativ. Një gjë e tillë nuk do të ndodhte me Trumpin. Ai do të organizonte takime të nivelit të lartë dhe do të çonte mesazhe të forta dhe të qarta”.“Vetëm kujtohuni që Kurti refuzoi që ta aprovojë gazsjellësin dhe Kosova ka nevojë për energji. Kjo nuk ka kuptim”.