“Grackat” e Albin Kurtit, në të cilat ranë, si minjtë

E publikuar: 13/06/2017 14:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Kimete Berisha

1. Ekziston Legjenda se “të huajt”, sidomos amerikanët, në asnjë mënyrë nuk pranojnë të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen.
– Derisa PDK dhe LDK e krijuan këtë Legjendë kundër Albin Kurtit (normal, me brumin e stisur të Albin Kurtit), si njeri që i “urren” të huajt, Albin Kurti u dashurua në një vajzë “të huaj” dhe e bëri grua. Kështu, në mënyrën më të thjeshtë u rrëzua miti se Albin Kurti është racist apo nuk i duron të “huajt”. Realiteti tregoi se lëre që i duron, por i dashuron “të huajt” dhe plus martohet me ta!

2. Ekziston Legjenda (e krijuar nga PDK dhe LDK), se Albin Kurti me Vetëvendosjen janë ekstremistë fetar dhe për ta arsyetuar këtë Legjendë, u bazuan në shaminë si fakt, të cilin e përkrah Albin Kurti.
– Derisa PDK dhe LDK kanë në Listën dhe në partitë e tyre gra me shamija dhe meshkuj me mjekrra të gjata, Albin Kurti që i mbron shamijat, nuk e ka asnjë grua me shami në Lëvizjen e tij.
Pra, kjo është “gracka” e dytë e Vetëvendosjes, në të cilën, ranë, si minjtë.
Albin Kurti i mbron shamitë (kundër të cilave ME FJALË jeni Ju, por ama Vetëvendosja (me vepra) nuk e ka përfshirë në Listën për deputetë asnjë kandidate me shami, ndërsa, Ju, që jeni me fjalë kundër shamive, e keni mbushur Listën me shamija dhe me mjekrra.

3. Ekziston Legjenda se Vetëvendosje është Lëvizje që nuk ndyshon, është dogmate, përjashtuese, jofleksibile dhe jobashkëpunuese.
Por, kjo është një “grackë” tjetër e Albin Kurtit, sepse Ndryshimi është Ligj i Natyrës, dhe deshëm, s’deshëm ne, “dy herë nuk mund të hysh në të njejtin ujë”, sepse çdo gjë ndryshon në heshtje, pa na pyetur ne.
– Derisa PDK dhe LDK ishin të bindur se Albin Kurti dhe Vetëvendosja nuk ndryshon, harruan të ndryshojnë vetë për vete, mbeten aty ku i la Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi.
LDK s’ka tjetër vlerë, përveç varrit të Rugovës (i cili ua siguroi për së vdekuri edhe këto vota që i kanë sot), ndërsa PDK, harroi se çdo gjë ka ndryshuar që nga momenti kur Hashim Thaçi nuk është më i pari i PDK-së.

4. Ky popull është i Ri. Nuk jemi më “gjenerata e coca-colës, qysh na quante Ibrahim Rugova).
Është gjenerata e rrebelizmit, është gjenerata e zjarrit, gjeneratë e sinqeritetit, gjenerata që nuk i duron eufemizmat dhe zëvendësimin e fjalëve të rënda me fjalë të buta, si ktyneherë.
Nuk ka më keqardhje ndaj të keqes.
E keqja përshkruhet me fjalë të këqija.
– Vetëvendosja u “akuzua” për folklorizëm, ndërsa Fyelli dhe tupani u bënë simbolet e PDK-AKK-NISMËS.
Unë për vete nuk e kuptoj se si u ofrohesh gjeneratave të reja me valltarë të SHOTËS (m’u pyet unë, ky Ansambël do të arkivohej si vlerë trashëgimore në Muzeun Kombëtar, sepse kurrë nuk e kam kuptuar (as nuk e kuptoj) pse paguhet njeriu për të vallëzuar valle që nuk i vallëzon kush).
Nuk jemi në Luftë që të joshemi nga fyelli, tupani, nga folklori dhe nga patetika.
– Derisa PDK dhe LDK akuzuan Vetëvendosjen për folklorizëm, vetë u zhytën deri në gjunjë në të.
Edhe ky ishte njëri nga “grackat” e Vetëvendosjes.

5. Prej se ekziston LDK, kjo është humbja më e madhe e saj. Dhe, prej se mbahen zgjedhje në Kosovë,për herë të parë Vetëvendosja thyen bastionet e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. S’ka më Kaçaniku i PDK-së, Llapi veç i LDK-së, krejt Drenica e PDK-së, Mitrovica e Kadri Veselit, Gjilani i LDK-së, etj.
Vetëvendosja shtrihet gjithkah, dhe rrënon LDK-në dhe PDK-në, si dheu kur rrëshqet papritur në shtëpitë e ndërtuara pa leje.
– Qysh është e mundur gjithë ky “fillozof”, gjithë ky “akademik”, gjithë ky “mendimtar”, e gjithë ky “analist” i PDK-së e i LDK-së dhe nuk e hetuan se Vetëvendosja po rritet më shumë seç ka vend për ta mbajtur trupin e saj, po rritet më shpejt seç “duhet”.

6. Kujtuan kështu, sepse PDK dhe LDK menduan se ka kaluar koha e luftës.
Menduan se ky popull do qetësi (dhe do), ama, jo qetësi për të heshtur të keqen (se nëse të keqen e shpreh me fjalë të buta, është njësoj sikur e ke heshtur).
E keqja thuhet, zmadhohet, bëhet zhurmë prej saj, në stilin e Vetëvendosjes.
Në heshtje, po, rriten pemët, çelin lulet pa nxjerr një zë, ndoshta rritet edhe dashuria në heshtje, ama, në zhurmë rritet protesta dhe lind Liria.
– PDK dhe LDK kujtuan se askush nuk i do njerëzit që gjuajnë me gaz lotsjellës në Kuvend, dhe kjo ishte “gracka” kryesore në të cilën ranë, si minjtë, sepse jo veç ky popull, por gjithkush i do edhe të “vdekur” ata që ia marrin lirinë, bukën e gojës dhe dheun nën këmbë.

7. Për ta “modernizuar” partinë, PDK e futi në parti Arbana Xharrën, si simbol të urrejtjes ndaj myslimanëve.
Duke qenë partia e cila agjëronte kolektivisht në vitin 2005, dhe duke e ftuar znj.Xharra për ta shprehur indirekt qëndrimin e tyre kundër islamit, ata e përkqësuan edhe më shumë situatën e tyre.

Për shkak se, ti mund të mos i duash myslimanët, pa pasur nevojë t’i urresh ata (me këshillat folklorike të Ismajl Kadaresë), dhe ti s’guxon në asnjë mënyrë t’i fyesh komplet elektoratin tënd myslimanë për një “çikë” gjakove.
E as t’i çosh selam Turqisë se për PDK-në më e “madhe” është Xharra sesa Erdogani ;).
– Pra, t’ia japësh Erdoganit tenderët, por ta “urresh” me gjigericë të Arbanës. Askush nuk e ha një çorbë kaq pa kripë.
E Dyta, “Rrebelja” me setër Arbana Xharra ka akcent rajonal, gjakovar.
Dialektika e saj i neverit për shembull drenicasit dhe llapjanët, sepse ajo tingëllon si amvise tipike e qytetit të Gjakovës që nuk e ka mësuar kurrë gjuhën standarde shqipe.
Dhe, sa herë flet, u referohet gjakovarëve.
Prandaj, ky ishte gabimi më i madh i Kadri Veselit, të cilin mund ta “përmirësojë”, nëse e bind Znj.Xharra që të flas gjuhën standarde, e jo gjuhën e mëhallës së saj.
Flisni gjuhën standarde, pa nëndialekte e pa akcent, si Vetëvendosja.

8. “Gracka” tjetër e Albin Kurtit është “bashkimi kombëtar”.
LDK dhe PDK menduan dhe ishin të bindur (plus edhe sot mendojnë) se bota nuk e përkrahë një Lëvizje që lyp “bashkim kombëtar”.
Në njëfarë mënyre ne jemi të bashkuar me Shqipërinë. Dhe, Albin Kurti e di atë që këta nuk e ditën, se nuk mund të bashkohesh me askën në mënyrë të njëanshme.
Edhe nëse Ti si VV do të bashkohesh me Shqipërinë, nuk varet prej teje, por prej Shqipërisë, si vend anëtare e NATO-s.
– Asgjë, askujt, s’i ka prishë punë të dëshirojë të bashkohet me Shqipërinë. Sepse, dëshira mbetet dëshirë, mbasi që askund nuk e sheh bota planin konkret që çon në realizimin e kësaj dëshire.
Nëse bota është brengosur për bashkjimin e shqiptarëve, është brengosur me Shqipërinë, mos helbete po “habitet” e po i nënshtrohet dëshirës së VV, e jo me VV.

9. Ne jemi popull i Ri, dhe Ju nuk guxoni të dukeni të vjetër para këtyre njerëzve. Me setra të shtrenjta, me këmisha klasike, me pantallona të zinj.
Duhet të dukeni rrebelë, të zjarrtë, të rinj, modern dhe urban si Vetëvendosja.
Shih si janë “plakur” Blerand Stavileci, Memli Krasniqi, ato vajzat e gratë partisë, të gjithë pa përjashtim, duken si personazhe nëpunësish të neveritshëm të letërsisë ruse.
Asnjë nuk duket i Ri, dhe “frajer”, tip modern, urban, i rebeluar dhe ndryshe nga të tjerët.

10. Edhe mënyra se si gëzohesh është ART.
E patë si u gëzuan për fitoren e Vetëvendosjes, Shpendi, Fisniku, Albini e Visari.
Shpendi dhe Fisniku u gëzuan si fëmijë. Më ka marrë malli të gëzohem si Shpendi, e të kërcejë nga gëzimi, si Fisniku.
Thjeshtë u gëzuan bukur.
– Ti duhet të dukesh, si populli yt, jo të dukesh “zotëri” i popullit tënd.
Dukuni dhe veshuni si djemtë dhe vajzat e Vetëvendosjes.

11. Kthehuni mbrapa dhe shihni sondazhin e blogut tim (me komisionere: veç meje, motra Fatmirja, dhe mbesa Vlera), i cili e çon PDK-në, në opozitë, ndërsa VV del fituese e këtyre zgjedhjeve.
Nëse blogu im e ka treguar fituesin, si bën që Kadri Veseli me AKI-në e tij dhe Isa Mustafa me njerëzit e tij u befasuan me humbjet e tyre.

12. PDK e ka gjetur fajtorin te Ramush Haradinaj, të cilin e konsideron se u bë sebep për humbjen e “maskuar” në koalicion. Sepse, PDK humbi më shumë seç po duket.
Kadri Veseli nuk e ka lehtë.
Por, do të fshehet për një kohë pas Ramush Haradinajt, i cili sipas tij ka “faj” pse elektorati i PDK-së s’deshen t’ia japin votën.

13. Isa Mustafa ende nuk ka dhënë dorëheqje. Ku me ditë çfarë lukthi duhet ta kesh të jesh Isa Mustafa, i cili, po ashtu, ka humbur edhe më shumë seç po duket.
Kjo parti që ishte e para kur nuk kishte konkurrentë, s’pati nevojë për Ushtri gjatë luftës, e s’do të ketë nevojë për Ushtri në Liri.
Kjo parti, ç’prej se ka vdekur Rugova, s’ka bërë gjë tjetër, përveç dosje kundër luftëtarëve të UÇK-së.
S’ka planpropgram, as shpresë, e vetmja shpresë e saj është arrestimi i komandantëve të UÇK-së, demek kur shkojnë këta në burg, pastaj halli i tyre e marrin pushtetin.
– LDK nuk e llogaritën fare Vetëvendosjen, e cila u bë e të gjithëve, jo veç e krahut të luftës, por edhe e krahut të paqes, e të burgosurve politikë, e të rinjëve, e pleqve, e të varfërve dhe e të pamundurve.
LDK ka mbetur peng i vetëvetes. Njeriu më i fortë i tyre ka mbetur Lutfi Haziri, i cili me elegancën më të madhe (pa ndihmën e askujt) e humbi Gjilanin.
Tash, çifti i tij me prit me ta fitu Kosovën!!!
– Lutjuni Zotit që votimi nuk zgjati edhe një orë, se Vetëvendosja do t’ju hynte edhe më thellë!
P.S. SINOPSIS (rubrikë e Re e blogut tim, për ata lexues që nuk duan të lexojnë gjatë dhe vazhdimisht nga unë kërkojnë të shkruaj shkurt).
Në këtë shkrim bëhet fjalë për Vetëvendosjes, PDK-në dhe AAK-në.
Autorja ka shprehur mendimet e saj lidhur me zgjedhjet 😜