Gjykata urdhëron që Adelina Ismaili dhe dy motrat e saj të sillen me shoqërim në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës

E publikuar: 13/07/2022 12:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Gjykata Themelore në Prishtinë do të kërkojë nga Policia e Kosovës që dëshmitaret Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili, të sjellen me shoqërim në seancën e radhës në rastin ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës.

Ndryshe, në këtë seancë ka munguar mbrojtësja e të akuzuarit Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi, për të cilën gjykatësi Kuçi ka njoftuar se më 27 qershor 2022, të njëjtës gjykata i ka dërguar ftesën, mirëpo deri më 12 korrik 2022 nuk është njoftuar për këtë seancë pasi që fletë-dorëzuesi i ftesave ka qenë në pushim vjetor.

“E njëjta e ka lajmëruar sot gjykatën dhe mungesën e ka arsyetuar me arsyetimin se sot ka të caktuar një shqyrtim tjetër në Ferizaj”, shtoi tutje gjykatësi Kuçi.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 15 shtator 2022.

Për seancën e radhës gjykatësi Kuçi deklaroi se për dëshmitaret Ismaili nga Policia e Kosovës do të kërkohet sjellja e tyre me shoqërim, ndërsa për mosrealizimin e urdhëresave të hershme ai tha do të njoftohet komandanti i stacionit policor Jugu në Prishtinë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet. /Betimipërdrejtësi/.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!