Gjykata e Apelit ka vërtetuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve për Hidrocentralin Lepenci 3 në Kaçanik

E publikuar: 17/06/2022 13:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Apelit e Kosovës, Departamenti për Çështje Administrative ka refuzuar ankesat e të paditurës Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Prishtinë dhe palës së interesuar dhe me këtë ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të datës 12.04.2022, përmes të cilit është aprovuar si i bazuar propozimi i paditësve për shtyrje të ekzekutimit të vendimeve për leje ujore dhe mjedisore për Hidrocentralin Lepenci 3 në Kaçanik.

Më 30 dhjetor 2021, oganizatat GLPS dhe Gjethi kanë paraqitur nëpërmjet Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike padi me kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit për Lejen Ujore me Nr. Prot. 6724-2/19 dhe të Vendimit për lëshimin e Lejes Mjedisore me nr. Prot 1948-4/19 të lëshuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për Hidrocentralin Lepenci 3 në Kaçanik.Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative ka aprovuar si të bazuar propozimin e GLPS dhe Gjethi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të cekura deri në vendosjen meritore të çështjes.

Gjykata ka vlerësuar se ekzekutimi i këtyre vendimeve do t’i sillte dëm natyrës, i cili vështirë do të riparohej dhe se shtyrja e tillë nuk është në kudërshtim me interesin publik e as nuk do t‘i sillte dëm të madh palës kundërshtare. Tani ky aktvendim është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

GLPS dhe Gjethi mirëpresin vendimin e gjykatës dhe mbesin të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtës së qytetarëve në pjesëmarrje në vendimmarrje, mbrojtjen e natyrës dhe luftimin e shmangies së kërkesave ligjore nga institucionet publike.

Siç kanë theksuar organizatat paditëse në padi, procesi që i ka paraprirë lëshimit të Lejes Ujore dhe Lejes Mjedisore për Hidrocentralin Lepenci 3 në Kaçanik, ka pasur shkelje ligjore si: (i) mos-zbatimi i procedurës së koncesionit (ii) mungesa e debatit publik apo mungesa e njoftimit adekuat të publikut për të, (iii) degradimi i natyrës e cila rrethon lumenjtë dhe përtej saj, si dhe (iv) mohimi i të drejtës së banorëve të Kaçanikut për ujë të pijshëm dhe të ujitjes.

Mbi këtë bazë, GLPS dhe Gjethi kanë kërkuar nga Gjykata që të shtyjë ekzekutimin e vendimeve të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe në fund t’i anulojë këto vendime.