Gjuriq: Prishtina s’është serioze në formimin e Asociacionit

E publikuar: 20/04/2018 16:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nuk kam asnjë problem me asgjë që involvon ose kërkon viktimizimin tim personal që ndërlidhet me Kosovën dhe gjithmonë jam i gatshëm të ndaj fatin me popullin tim këtu.

Kështu ka deklaruar sot në veri të Mitrovicës i ashtuquajturi shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë vizitës që ka bërë në dy ndërtesa, investim ky i Qeverisë së Serbisë, të dedikuara për familjet serbe që i përkasin kategorisë së ndjeshme sociale, raporton kp.

Ai para gazetarëve tha se me mbështetjen e Qeverisë së Serbisë si në banim, bujqësi etj, dërgohet porosi e qartë te serbët për një perspektivë më të mirë në këto hapësira.

Sipas tij, Prishtina nuk ka qëllim serioz për formimin e Asociacionit të komunave serbe, mirëpo, siç u shpreh ai, përfaqësuesit serbë do të presin afatin e caktuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Ai nuk ka precizuar nëse serbët do ta formojnë vetë Asociacionin në rast të dështimit të formimit të tij brenda afatit kohor të përcaktuar nga ndërkombëtarët.

“Mendoj se nuk ekziston qëllim serioz që të punohet në këtë drejtim, kjo paraqet një manovër politik dhe diplomatik që ka për qëllim ta mënjanojë trysninë ndërkombëtare ndaj Prishtinës, sepse të gjithë e kanë të qartë se Prishtina nuk është duke zbatuar marrëveshjen rreth Asociacionit të komunave serbe. Por, meqë të gjithë ata thonë se duan diçka të bëjnë në këtë drejtim, hajde që të gjithë bashkë të shohim nëse ata janë duke e thënë të vërtetën. Nuk kam asnjë problem me asgjë që involvon ose kërkon viktimizimin tim personal që ndërlidhet me Kosovën, por mendoj se askush nuk duhet të flas për këtë publikisht, ndërsa gjithmonë jam i gatshëm të ndaj fatin me popullin tim këtu”, ka thënë Gjuriq.

Ndërkaq, kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, ka porositur shqiptarët të mos paragjykojnë se gjithçka që është e mirë për serbët, nuk është e mirë për shqiptarët dhe anasjelltas.

Ai potencoi se Bashkësia e komunave serbe do të jetë më e fuqishme se sa Republika serbe në Bosnjë, por në aspektin ekonomik.

“Bashkësia e komunave serbe duhet të formohet në përputhje me marrëveshjen e Brukselit. Kisha shfrytëzuar rastin të porosisë shqiptarët, se paragjykimet për atë se ajo çka është e mirë për serbët automatikisht nuk është e mirë për shqiptarët dhe ajo që është e mirë për shqiptarët, automatikisht nuk është e mirë për serbët, më nuk do të ekzistojë. Bashkësia e komunave serbe nuk është kërcënim për asnjë komunitet tjetër. Atë që kemi dëgjuar kohët e fundit është nëse Bashkësia e komunave serbe do të jetë Republikë serbe, natyrisht kemi thënë qëndrimin tonë se Bashkësia e komunave serbe assesi nuk do të jetë Republikë serbe, por do të jetë më e fortë se Republika serbe, në aspektin ekonomik. Do të sjellim investitorë, do të hapim vende të reja pune, dhe ekonomikisht do të forcojmë 10 komunat e shumicë serbe”, theksoi Rakiq.

Gjuriq ka vizituar edhe birrarinë e re në fshatin Bajnskë, si dhe punimet në objektet që po ndërtohen në kuadër të kompleksit ‘Rajska Banja’.

Ndryshe, dy ndërtesat në veri të Mitrovicës kanë sipërfaqe nga rreth 1 mijë metra katrorë, të cilat posedojnë nga 12 banesa dhe mjetet për ndërtimin e tyre në vlerë prej 64 milionë dinarë, ose mbi 542 mijë euro janë siguruar nga e ashtuquajtura Zyra e Kosovës pranë Qeverisë së Serbisë, ndërsa birraria në Banjskë i ka kushtuar kësaj zyre 25 milionë dinarë ose mbi 211 mijë euro./koha.net/