Gjuriq: Po përpiqen që t’i blejnë serbët e Kosovës për votën e tyre për ushtrinë

E publikuar: 18/04/2017 09:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, ka thënë se nuk është sekret që përfaqësuesit serbë në Kosovë janë të ekspozuar vazhdimisht në përpjekjet politike për “blerje” dhe “kthim në anën e separatistëve”.
Megjithatë, ai nuk e sheh se me çfarë “argumentesh dhe gjimnastikë retorike ata mund të binden për formimin e të ashtuquajturës ushtria e Kosovës të njohur si një interes i tyre”.

“Jo vetëm që një veprim i tillë do të ishte në kundërshtim me Rezolutën 1244, por do të ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e popullit serb në Kosovë”, tha Gjuriq duke iu përgjigjur pyetjes së gazetës “Novosti” se a mundet Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, t’i bindë serbët për të mbështetur ushtrinë e Kosovës, pasi paralajmëroi bisedime me ta, raporton Blic.

Në konstatimin se shndërrimi i inciativës qytetare “Lista Serbe” në parti çon në ndarjen e përfaqësuesve politikë serbë dhe pyetjes nëse kjo është një hyrje në “polifoninë” serbe në institucionet e Kosovës, Gjuriq thotë se nuk ka dhe nuk do të ketë polifoni.

I pyetur se sa seriozisht i trajton kërcënimet e Daut Haradinaj se “në Kosovë nuk do të ketë serbë nëse vëllai i tij, Ramushi, ekstradohet në Beograd”, Gjuriq kujtoi se “personi që e ka thënë këtë është në krye të Komisionit për mbrojtjen, sigurinë dhe shërbimet të Kontrollit të sigurisë të Kuvendit Krahinor”.

“Çfarë flet kjo në lidhje me besueshmërinë dhe synimet e këtyre forcave? Më shumë se kërcënimi është rreziku që bartësi i funksionit politik të mund të kërcënojë për spastrim etnik, dhe se nuk përballet me ndonjë sanksion. Kjo krijon një klimë në të cilën kërcënimi lehtë mund të kthehet në një akt dhune. Serbët në Kosovë nuk duhet që të injorojnë këto kërcënime, por ju duhet t’a dinë se shteti i Serbisë dhe i gjithë populli serb qëndron pas tyre”, tha Gjuriq. /GazetaExpress/.