Gjermani: Shqiptari i fajshëm edhe pse i shpëtoi jetën vajzës

E publikuar: 23/05/2022 23:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një familje shqiptare nga landi gjerman NRW, ka ngritur një shqetësim mbi atë se çfarë është ligji dhe çfarë është e drejta.

Vajza dyvjeçare e një prindi (32) nga Shqipëria kishte temperaturë të lartë dhe papritur humb ndjenjat. Pavarësisht se kjo çështje ka shërim, për çdo prind është një panik më vete dhe babai në këtë situatë me shpejtësi merr veturën dhe nën drejtimin e policisë nxiton me shpejtësi për në spital, shkruan focus.de.

Në gjendje paniku, babai kishte harruar edhe patentën e shoferit, por për të mos përfunduar këtu ai është fotografuar edhe me shpejtësi tej normave të lejuara. Dy shkelje ligjore në tentativë për të shpëtuar vajzën. 32 vjeçari tashmë është dënuar me 348,50 euro gjobë dhe një muaj ndalesë qarkullimi. Më vonë gjoba i është reduktuar në 260 euro.

Çfarë i lejohet një prindi për të shpëtuar fëmijën e tij?

Gjykata gjermane duke u bazuar në ligjin e shkruar të zezë mbi të bardhë e ka dënuar me gjobë shqiptarin. Kjo ka ndezur debatin në Gjermani. Sipas ligjit, babai është dashur të thërrasë ambulancën, pasi kështu ka rrezikuar jetën e të tjerëve. Por çdo prind në këtë situatë do pyeste: çfarë do bëje ti?

Gjithsesi, më e rëndësishmja në këtë mesele është se vajza e vogël shqiptare është shumë mirë. Pas dy ditëve në klinikë, ajo gëzon shëndet të plotë.