Gjenden mbetje mortore në Novobërdë, dyshohet se është trupi i biznesmenit Bedri Rexhepi

E publikuar: 30/09/2022 16:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria themelore në Prishtinë përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se në vazhdën e hetimeve për rastin e zhdukjes së biznesmenit Bedri Rexhepi janë siguruar prova shtesë meqë rast kanë planifikuar të bëjnë hetime në terren me qëllim të identifikimit të lokacionit për gjetjen e biznesmenit Rexhepi.

Nga Prokuroria thonë se Prokurori i rastit bashkë me Policinë dhe IML-në e FSK-në, kanë dalë në një zonë kodrinoro-malore në Novobërdë dhe gjatë verifikimit të terrenit kanë hasur në mbetje mortore të dekompozuara që dyshohet se janë të trupit të biznesmenit Bedri Rexhepi.

Megjithatë pas ekzaminimeve do të dihet identitetin e këtyre mbetjeve mortore.

Komunikata e plotë:

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinion publik se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, konkretisht Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë dhe institucionet e tjera relevante, në vazhdën e hetimeve, janë siguruar prova shtesë lidhur me rastin e “Rrëmbimit” të B.R., me ç’ rast është planifikuar që veprimet hetimore të bëhen edhe në terren me qëllim të identifikimit të lokacionit për gjetjen e personit në fjalë.

Gjatë ditës së sotme, prokurori i rastit së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës dhe gjatë verifikimit të terrenit është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë me të cilën pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), të cilat dyshohen se kanë të bëjnë me rastin e “Rrëmbimit” dhe të njëjtat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin e këtyre mbetjeve mortore.

Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore, andaj lidhur me zhvillimet e tjera rreth këtij rasti do t’iu mbajmë të informuar.​