
Tërheqja nga agjenda e Komitetit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, aplikacioni i Kosovës për status të mysafirit special në Këshill të Evropës, po cilësohet si një nga lajmet më shqetësuese për vendin nga ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
Brenga më e madhe sipas Gërxhaliut është edhe kundërshtimi i Gjermanisë që Kosova të jetë vëzhguese në Këshill të Evropës, teksa kritika ka edhe për diplomacinë kosovare.
“Është ndër lajmet më shqetësuese që ka mundur të marr Kosova në këtë fillimi të vitit. Derisa në Kosovë të gjithë merren me agjendë pulitke dhe me vota, po e shihni se të tjerët janë aktiv në diplomaci dhe në bllokada të ndryshme për të penguar integrimin e Kosovës në institucione të ndryshme evropiane. Brenga më e madhe është që për një vendim te tille apo propozim të tillë që Kosova të mos jetë vëzhguese në Këshill të Evropës ka qenë edhe Gjermani si ndër shtet mike të Kosovës është shqetësimi më i madh. Kjo është një dëshmi që diplomacia kosovare është shumë më tepër në interes të partive politike dhe pushtet se sa në interes të Kosovës dhe qytetarëve”, ka thënë ai.
Gërxhaliu ka shprehur shqetësimin e tij për largimin e Kosovës nga ky institucion ku vitin e kaluar ishte në prag të anëtarësimit të plotë.
“Në vend që të lobohet që të përshpejtohet procesi i anëtarësimit sot jemi të larguar nga një institucione që vitin e kaluar kemi qenë në prag të anëtarësimit të plotë. Është një moment shqetësuese që paralajmëron që efektet e sanksioneve ekonomike evropiane po i japin rezultate e veta. Kjo është një fitore e Serbisë, dhe duhet të jetë një kambanë që t’i zgjoj politikanët që për shtet të bëjnë me tepër. Është koha kur duhet të kemi rifreskim të diplomacisë kosovare, është koha kur diplomacia duhet të depolitizohet”, ka thënë ai.
Tërheqjen nga agjenda e Komitetit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, aplikacioni i Kosovës për status të mysafirit special në Këshill të Evropës, e ka konfirmuar të mërkurën deputetja Ariana Musliu-Shoshi, nga delegacioni i Kosovës.
Kërkesa e Kosovës ishte paraparë në agjendën e takimit të së mërkurës (5 mars), por u tërhoq në nisje të seancës.
Musliu-Shoshi ka thënë se zhvillimi nuk ishte paraparë as në grupet politike e as si mundësi.
Ajo ka thënë se situata tregon nevojën për mobilizim si shtet “në bashkëpunim me aleatët tanë, për të krijuar një strategji të qartë që do të sigurojë realizimin e prioriteteve dhe agjendave tona në arenën ndërkombëtare”.
Në Serbi e kanë cilësuar “lajm të jashtëzakonshëm”. Kryeparlamentarja Ana Bërnabiq ka thënë se tërheqja e kërkesës së Kosovës për këtë status “është fitore e rëndësishme”.
Mysafiri special ka kompetenca të kufizuara, sipas rregullores së Asamblesë Parlamentare. Mysafiri special mund të ulet në Asamblenë Parlamentare, por nuk ka të drejtë vote. Kanë të drejtë të mbajnë fjalim me leje të presidentit të Asamblesë.
Kosova i ishte afruar anëtarësimit në Këshill të Evropës vitin e shkuar, por aplikacioni u bllokua pas kërkesës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe./EO