Gërvalla tërthorazi ia kujton mosnjohjen e pavarësisë homologut grek, ky i fundit thotë se e mbështet liberalizimin e vizave

E publikuar: 04/06/2021 12:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në konferencën e përbashkët me homologun grek Nikos Dendias i kujtoi këtij të fundit tërthorazi se Greqia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Dendias në anën tjetër nuk e përmendi fare faktin se shteti nga vjen se njeh Kosovën, duke thënë vetëm se e përkrahin liberalizimin e vizave për kosovarët, raporton Gazeta Express.

Gërvalla para mediave tha do të vazhdojnë dialogun edhe rreth çështjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës me Greqinë dhe partnerët e BE-së.

“Njohjen dhe respektimin e pavarësisë së vendit tonë nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian përfshirë edhe Greqinë e konsiderojmë si një kontribut thelbësor për stabilitetin në Ballkan. Pavarësia e Kosovës është fakt i patjetërsueshëm dhe sa më parë që të pranohet një fakt i tillë aq më shpejt sigurohet një perspektivë e qëndrueshme për rajonin. Por, duke pasur parasysh faktin se Greqia pavarësinë e Kosovës e sheh ende nga një këndëvështrim tjetër ne riafirmojmë se me Greqinë dhe me partnerët tjerë të BE-së do të vazhdojmë intenzivisht dialogun edhe rreth kësaj çështje”, tha Gërvalla.

Kryediplomati grek para mediave tha se Greqia e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi kriteret janë përmbushur.

“Ne besojmë që Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, ne jemi poashtu pro-liberalizimit të vizave për juve sepse ju keni përmbushur kriteret. Ne jemi këtu që të ju ndihmojmë edhe në fushën e sundimit të ligjit. Është e qartë se ne mbështesim fuqishëm vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, që mes palëve të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme”, tha Dendias.