Gazi lotsjellës në Kuvend hap debatin se në shërbim të kujt është Policia e Kosovës

E publikuar: 23/03/2018 19:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rreth 10 boca me gaz lotsjellës janë hedhur në Kuvendin e Kosovës nga deputetët e Vetëvendosjes, derisa gazi, shitja e të cilit është e ndaluar në Kosovë, nuk dihet se si ka arritur në sallën plenare të legjislativit.

Polica, për këtë shkak, nxori nga vendi i tyre i punës deputetët e Vetëvendosjes, duke vënë kështu veten edhe një herë në krye të akuzave se në shërbim të kujt janë ata?

Ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj, i ka dalë në mbrojtje Policisë. Ai thotë se policia respektoi urdhrat e kryesisë së Kuvendit.

Kryeparlamentari, Kadri Veseli, nuk ka dashur të komentojnë përgjegjësinë e Policisë, por prapa kamares tha se i vjen gjynah për ta, sepse të gjithë po u bien në qafë.

Se policia ka qenë në pozitë të vështirë, e pranon edhe deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi. Megjithëse thotë se ka oponentë të SHIK-ut brenda saj, policia sipas tij, po kryen vetëm obligimet e caktuara me ligj.

“Përgjegjësia duhet të bjerë fillimisht mbi kryetarin e Kuvendit të Kosovës”, thotë Ismet Beqiri, i cili i kujton atij se si akuzonte ministrin e atëhershëm të Punëve të Brendshme, Skender Hyseni për paaftësi, kur Policia nuk kishte arritur të ndalonte hyrjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Kohavisioni ka pyetur Policinë e Kosovës nëse është në dijeni se si ka arritur të futej gjithë ai gaz në Kuvend dhe nga e ka prejardhjen, por zyrtarët e saj kanë kthyer si përgjigje vetëm një komunikatë të datës 21 mars, ku kanë sqaruar se veprimet e Policisë brenda në sallën e Kuvendit në ditën kritike.

Se kanë nisur hetimet për prejardhjen e gazit lotsjellës, e ka konfirmuar edhe ministri Sefaj.

Dy ditë pas kalimit të demarkacionit dhe seancës ku është hedhur 4 herë gaz lotsjellës, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë të rregullt por prani e gazi ndjehet në të gjitha hapësirat e Kuvendit, aty ku janë deputet, gazetarët dhe në hollin e Kuvendit./koha.net/