Gazetaria Hulumtuese po sulmohet vazhdimisht

E publikuar: 12/03/2018 11:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Petrit Çollaku nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka thënë se gazetaria hulumtuese vazhdimisht po sulmohet.

“Gazetaria hulumtuese është duke u sulmuar çdoherë e më shumë, është rasti i Hajrullah Çekut ku veç një paragraf ka mjaftuar”, ka thënë Çollaku gjatë tryezës së diskutimit për lirinë e shprehjes dhe dhunën ndaj gazetarëve të organizuar nga Demokracia Plus në bashkëpunim me Insajderin.

Ai ka thënë se gazetarët janë të publikut, dhe kur sulmohen ata – sulmohet e drejta e lirisë së shprehjes.

“Gazetarët janë për publikun, ata i kërkon publiku, ata janë një pjesë e shoqërisë ku e drejta e lirë së tyre po cenohet”, ka shtuar Çollaku.

Çollaku ka shtuar se në këto tre vite kanë gjetur një bashkëpunim, duke krijuar databaza.

Ai ka thënë se si platformë rajonale vërejmë se problemi i gjithë gazetarëve është se janë viktima. Është rasti i një fotoreporteri në Maqedoni ku është trajtuar shumë keq nga institucionet.

Kurse Drejtori i Gazetës Insajderi, Parim Olluri, ka thënë se organet e ndjekjes dhe të drejtësisë nuk po veprojnë njësoj kur është fjala për kërcënimet ndaj gazetarëve dhe në rastet e kërcënimeve ndaj politikanëve.

“Më shumë shohim komente prej 16-18 vjeçarëve që i quajnë gazetarët UDB-ash. Ndërsa kthehemi tek Policia ku thonë se nuk janë të përgatitur që të merren me rrjetet sociale. Mirëpo e kundërta ka ndodhur me Bensik Mustafën, djalin e ish-kryeministrit, ku menjëherë policia është treguar aktive”, ka thënë Olluri.

Ai i bëri këto komente gjatë tryezës së diskutimit të organizuar nga Demokracia Plus në bashkëpunim me Insajderin.

Olluri ka shtuar se tryeza të tilla është rrezik që të mbeten klishe dhe askush të mos merret seriozisht me kërcënimin e gazetarëve.

“Ka shumë rrezik që konferencat e tilla të kalojnë në konferenca klishe. Gjuha e urrejtjes është një prej aspekteve që po përballen gazetarët nëpërmes rrjeteve sociale”, ka thënë drejtori i Gazetës Insajderi, Parim Olluri.