Gastronomët kërkojnë heqjen e të gjitha masave kufizuese

E publikuar: 19/01/2021 15:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtuesit e bizneseve të gastronomisë në Maqedoninë e Veriut, po kërkojnë heqjen e tërësishme të masave kufizuese në punën e tyre, meqë, siç thonë, gjendja e deritanishme ka dëshmuar se ato më së paku kanë ndikuar në përhapjen e koronavirusit të ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Reagimi i Odës së Pavarur të Gastronomëve vjen pas paralajmërimit të qeverisë se nga 21 janari, kur edhe skadojnë masat kufizuese, do të ketë lehtësira në orarin e punës në hoteleri, gastronomi e biznese tjera shërbyese.

“Ne kërkojmë heqjen e të gjitha masave kufizuese sa i përket punës së objekteve të gastronomisë, por edhe të hoteleve, restoranteve dhe lokaleve tjera. Është për të ardhur keq nëse ndonjë nga ministrat mendon se duhet të ketë përsëri kufizim të punës. Kufizimi i orarit të punës është antikushtetues dhe nuk ka asnjë bazë sepse gastronomët punojnë sipas Ligjit për ushqim, ku specifikohet saktësisht gjithçka që ka të bëjë me këtë veprimtari…Ne, aspak nuk kemi ndikuar në përhapjen e virusit edhe askund në botë nuk është vërtetuar se virusi është përhapur nga veprimtaritë tona”, ka deklaruar Zdravko Josifovski nga Oda e Pavarur e Gastronomëve.

Nga Ministria e Ekonomisë, kanë bërë të ditur se vendimet merren në bazë të propozimit të Komisionit për sëmundje infektive, porse orari i punës do të zgjatet nga ora 18:00 në orën 23:00.

“Protokollet i propozon Komisioni për sëmundje infektive, por siç jam informuar nga ana e ministrit të Shëndetësisë (Venko Filipçe) dhe debatet që kemi zhvilluar në qeveri, zgjatje të orarit të punës me siguri se do të ketë edhe atë nga 21 janari, kur do të ketë vendim të ri sa i përket masave mbrojtëse. Propozimi i takon Komisionit, por me gjasë orari i punës do të zgjatet deri në orën 23:00”, ka deklaruar ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Zgjatja e orëve të punës së objekteve të hotelerisë mund të jetë e parakohshme, pasi epidemia ende është e pranishme, por “nuk besoj se mund të shkaktojë ndonjë valë të re të të infektuarve”, thotë për Radion Evropa e Lirë, epidemiologu Dragan Danilovski.

“Nuk besoj se do të kemi ndonjë rritje spektakolare të numrit të të infektuarve, por sikur edhe të ketë një rritje të vogël kjo në mënyrë proporcionale do të reflektohet te numri i viktimave. Kjo nuk do të ishte mirë, prandaj mendoj se duhet të jemi edhe pak të durueshëm meqë edhe pak ditë na ndajnë deri te vaksinat, edhe pse mendoj se thuajse gjysma e popullatës ka pasur kontakt me virusin dhe rrjedhimisht është e imunizuar. Por, edhe më tej të rrezikuar do të mbetet shtresa e popullatës me sëmundje kronike, persona më të moshuar, por edhe njerëz të profesioneve që janë të ekspozuara ndaj virusit, e këtu në radhë të parë bëjnë pjesë punonjësit shëndetësorë”, thotë Danailovski.

Drejtuesit e Odës së Pavarur të Gastronomëve thonë se humbjet nga mbyllja e objekteve kanë qenë të mëdha, por ende nuk kanë një bilanc të saktë, megjithatë vlerësimet e para janë se ato mund të arrijnë deri në 60 për qind në krahasim me gjendjen e para pandemisë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut disa herë ka miratuar masa për mbështetjen ekonomike edhe të bizneseve, duke i ndihmuar në pagat për punëtorët, lirime nga tatimi mbi fitimin, e lehtësira tjera, por që janë vlerësuar të pamjaftueshme, gjë që ka çuar edhe në përgjysmimin e numrit të punonjësve e deri në mbylljen e bizneseve.

Maqedonia e Veriut tani tre javë ka vazhduar të shënojë rënie të ndjeshme të numrit të të infektuarve si dhe të viktimave. Nga rreth 88 mijë persona sa janë të diagnostikuar me COVID-19 në këtë vend, 12.500 persona ende janë aktivë me koronavirus, ndërsa 2.715 persona e kanë humbur jetën.