Gashi: Prioritet i yni është themelimi i Zyrës Shtetërore të Hetimeve

E publikuar: 31/10/2019 17:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, është deklaruar pas takimit të sotëm mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Gashi tha se sot janë diskutuar temat nga sundimi i ligjit dhe siguria.

Ai tha se synim kryesor i këtij koalicioni gjatë këtij mandati është themelimi i Zyrës Shtetërore të Hetimeve.

“Kemi folur edhe per krijimin e një zyre për hetime që do të quhet Zyra Shtetërore e Hetimit. Zyra Shtetërore e Hetimeve do t’i ketë katër komponenta. Komponenta e parë Luftimi i Krimit të Organizuar dhe e dyta do të jetë Hetimi i krimeve të vjetruara dhe politike, e tretë lufta kundër korrupsionit dhe hetimi i pasurisë së zyrtarëve të përfshirë”- tha Gashi.

Deputeti i LDK-së tregoi se në takim me VV-në kanë rënë dakord dhe për Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë dhe disa tema që kanë të bëjnë me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Kemi diskutuar edhe për Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë. Këtu do të hetohen dhe do të ju konfiskohet pasuria atyre zyrtarëve që nuk kanë arsyetuar pasurinë”- tha Gashi.

Gashi u pyet edhe për Gjykatën Speciale që vitin e ardhshëm i bën 5 vite të funksionimit.

Ai tha se edhe LDK edhe VV janë të pajtimit se gjykata duhet ta bëjë punën e vet.

Tema të tjera në kuadër të takimit ishin nga siguria e jashtme dhe e brendshme.