Gashi do partneritet para e pas zgjedhjeve me VV-në, koalicioni me PDK-në thotë s’diskutohet

E publikuar: 31/08/2019 00:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet të punojnë që të garantojnë partneritet strategjik parazgjedhor dhe paszgjedhor mes vete.

Para zgjedhjeve ai do që të ketë një garë fer, e pas zgjedhjeve që bashkë ta bëjnë qeverinë.

Duke folur në Interaktiv të KTV-së, Gashi ka thënë se po për të, LDK-ja në rast se del e dyta në zgjedhje e Vetëvendosje e para, duhet të shkojë në koalicion me të.

“Ne punojmë që LDK-ja do të dalë fituese, dhe jemi të bindur se kjo të ndodhë. Por me hipotezën se një gjë e tillë do të ndodhë, pra nëse VV-ja del e para, për mua duhet të bashkohemi në Qeveri me këtë subjekt. Prandaj them se duhet të jemi të kujdesshëm që mos ta lëndojmë këtë projekt”, ka thënë Gashi.

E kur ka folur për PDK-në, ai ka thënë se Këshilli Drejtues ka qenë unanim në një pyetje të qartë kundër koalicionit para e paszgjedhor me PDK-në.

“Jemi të gjithë të mendimit që koalicioni me PDK-në as nuk konsiderohet. Deklaratat ndryshe, qoftë prej Vetëvendosjes qoftë prej dikujt tjetër, janë për të bërë garë politike, e ndoshta edhe për të krijuar një avantazh psikologjik te votuesit. Por një koalicion i tillë nuk do të ndodhë”, ka thënë ai.