Gani Geci: Deshën të më vrasin sepse dyshuan që jam dëshmitar i Speciales

E publikuar: 26/09/2017 12:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Kanë dyshuar që jam dëshmitar i Gjykatës Speciale, dhe për këtë kanë dashur të më vrasin”, ka thënë Gani Geci, i akuzuar dhe dënuar me 4 vjet burgim nga Gjykata e shkallës së parë, për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.

Geci deklaratën e ka bërë në seancën e Gjykatës së Apelit për këtë rast, derisa ka shtuar se, tashmë i ndjeri Shaqiri, ishte pjesë e një grupi kriminel që kishte kryer vrasje politike pas lufte, raporton KTV.

Si e pakënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, është deklaruar edhe gruaja e Ruzhdi Shaqirit, Halime Shaqiri, në cilësi të palës së dëmtuar, dhe avokati i saj, Sokol Dobruna.

“Pas të shtënës së parë, viktima ka rënë për tokë dhe nuk ka pasur nevojë të shtije edhe tri herë tjera”, ka thënë Dobruna.

Prokurori i Gjykatës së Apelit, Marc Meslin, ka kërkuar që të miratohet ankesa e prokurorisë dhe të ndryshohet aktgjykimi, pasi sipas tij, nuk ka pasur rrethana lehtësuese në këtë rast.

Ruzhdi Shaqiri ishte vrarë më 4 gusht të vitit 2014, në një kafiteri në Skenderaj.