Fundi i shkëmbimit të territoreve? Mogherini ia dorëzon detyrën Borellit

E publikuar: 30/11/2019 17:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Diplomatja italiane, Federica Mogherini, sot ia ka dorëzuar detyrën e saj ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Spanjës, Josep Borell, i cili do të jetë shefi i i ri i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, shkruan Gazeta Express.

Dorëzimin e detyrës e ka bërë të ditur vetë Mogherini përmes llogarisë së saj në twitter, derisa ka treguar se tashmë zyrën e saj po e lë në duart e sigurta të diplomatit spanjoll.

“Mandati im po përfundon pas pesë vjetësh punë intensive. Faleminderit të gjithë atyre që kanë kontribuar për ta bërë Bashkimin Evropian një partner të besueshëm, shtyllë të multilaterizmit dhe një mbrojtës të palëkundur të të drejtave të njeriut. Unë po e lë zyrën time në duart e sigurta të Josep Borell. Urojani atij më të mirën”, ka shkruar Mogherini.

Mogherini ka qenë ndërmjetësuese e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Në periudhën e fundit 2 vjeçare nën drejtimin e saj, dialogu kishte rrëshqitur në terren të panjohur dhe të rrezikshëm, pasi që dy presidentët, Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiq, kishin filluar të flisnin për korrigjim kufijsh, ide kjo të cilën e kundërshtonin fuqitë e mëdha dhe i gjithë Ballkani.

Kjo ka qenë edhe pika e përplasjes mes diplomates italiane dhe kryeminsitrit në largim, Ramush Haradinaj, i cili vazhdimisht e ka akuzuar Mogherinin se e ka drejtuar dialogun jashtëzakonisht dobët.

Derisa tashmë kryenegociator i ri në dialogun Kosovë-Serbi do të jetë Josep Borell, në rast se BE-ja nuk do të emërojë ndonjë përfaqësues Special, siç kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Matthew Palmer dhe Richard Grenell.

Fakti që Borell vjen nga një shtet që nuk e njeh Kosovën shihet si mjaft problematike për Kosovën, megjithatë ka diçka jashtëzakonisht pozitive nga diplomati spanjoll. Ai është kundër idesë së korrigjimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këtë ai e kishte thënë gjatë një takimi joformal që kishin pasur ministrat e jashtëm të vendeve anëtare në Vjenë të Austrisë në fund të gushtit 2018.

Ai kishte treguar se në atë takim kishte theksuar refuzimin e fortë të vendeve evropiane për një zgjidhje finale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që do të kalonte përmes idesë së shkëmbimit të territoreve apo korrigjimit të kufijve, shkruan Gazeta Express.

“Ka pasur shumë ngurrim për një marrëveshje që mund të bazohet në kufij etnik të shteteve”, kishte thënë Borell.

Teksa kishte komentuar idenë e shkëmbimeve të territoreve, ku parashihej që Kosova të jepte komunat veriore të banuar nga serbët, në këmbim të Luginës së Preshevës, Borell kishte deklaruar se Evropa nuk është ndërtuar në frymën e shteteve etnikisht të pastra, por për shtete të cilat jetojnë së bashku shumë nacionalitete.

“Evropa nuk është ndërtuar mbi parime një etnike homogjene, në suaza të kulturës dhe kombësise. Ajo është ndërtuar për të ndihmuar të jetojnë së bashku njerëz të etnive të ndryshme”, kishte theksuar Borell./GazetaExpress/