Fuad Ramiqi dhe Mazllam Mazllami deklarohen të pafajshëm në Gjykatë

E publikuar: 28/09/2017 11:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Politikani Fuad Ramiqi dhe imami nga Prizreni, Mazllam Mazllami, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Prishtinës, për akuzat që ndërlidhen me terrorizëm, raporton Gazeta Express.

Avokati i Mazllamit ka thënë me këtë rast se gjykimi i klientit të tij me Kod të ri të procedurës penale, i vitit 2013, është humbje kohe.

“Do të bëjmë çmos unë dhe i mbrojturi im që ta bindim gjykatën se asnjë fjalë nuk është përdorur në ligjëratat që i përshkruan prokurori special për shkatërrimin e organizatës, të paraqitura në aktakuzë kundër Mazllamit”, tha mbrojtësi i tij në seancën gjyqësore që po mbahet në Pallat të Drejtësisë.

Derisa, në të njëjtën seancë Fuad Ramiqi, po ashtu i akuzuar për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, tha se e kundërshton aktakuzën e Prokurorisë Speciale, gjithashtu edhe veprën penale për të cilën akuzohet.

“Ky proces ndaj meje është tërësisht proces politik”, tha ai në gjykim.

Në të njëjtin gjykim ndodhen edhe tre imamë tjerë, të cilët akuzohen për vepra të njëjta penale që ndërlidhen me terrorizëm Enes Goga, Bedri Robaj, Idriz Ballabani.

Gazeta Express në nëntor të 2016-s ka raportuar për aktakuzën ndaj 5 të dyshuarve për terrorizëm. Fuad Ramiqi, sipas aktakuzës, bëri thirrje për rezistencë, vepër kjo sipas Kodit Penal të Kosovës e dënueshme deri në tre vjet burgim. Enes Gogën e Mazllam Mazllamin, Prokuroria i ka klasifikuar si kryes të mundshëm të veprës penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, ndërsa dy imamët Bedri Robaj e Idriz Ballabani akuzohen për veprën penale “Shtytje për kryerjen e veprimeve terroriste”. /GazetaExpress/