I ftohti ekstrem dhe të reshurat e borës shkaktojnë shumë vdekje në Ballkan dhe Evropën Lindore

E publikuar: 12/01/2017 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Temperaturat më të ulëta në disa dekada dhe të reshurat e shumta të borës në disa pjesë të Ballkanit, Greqisë dhe Evropës Lindore janë duke shkaktuar vdekjen e disa njerëzve, reduktime të energjisë elektrike dhe vonesa në udhëtime.

Autoritetet kanë thënë se së paku 73 persona kanë vdekur për shkak të kushteve ekstreme të motit, që konsiderohet si më e ftohta prej vitit 1963.

Prej kësaj shifre, 15 njerëz kanë vdekur pasi kanë ngrirë nga të ftohtit në Ballkan: katër të moshuar në Bosnjë, gjashtë njerëz në Serbi, dy persona të pastrehë në Kosovë dhe një grua e moshuar e dy të pastrehë në Maqedoni.

Me temperaturat që gjatë natës që shkojnë deri në – 20 gradë celcius, agjencitë humanitare kanë paralajmëruar më 11 janar se sidomos personat e pastrehë dhe migrantët janë më të rrezikuarit nga të ftohtit ekstrem.

Projekti i Migrantëve të Zhdukur i themeluar nga agjencia për migrantë e OKB-së, ka regjistruar 11 vdekje deri më tash në rajonin Mesdhetar prejse ka filluar ky vit.

Agjencia ka thënë se është veçanërisht e shqetësuar për mbi 15. 500 migrantë dhe azilkërkues që janë vendosur nëpër kampe me kushte jo adekuate nëpër ishujt grekë, përfshirë edhe në shumë vende ku ka pasur shumë të reshura bore.

Mbi 7500 njerëz kanë mbetur në Serbi në një mot me të ftohtë të acartë, përfshirë edhe disa dhjetëra që kanë mbetur afër kufirit me Hungarinë.

“Situata po bëhet gjithnjë e më dëshpëruese derisa mijëra njerëz janë të ekspozuar ndaj acarit”, ka thënë për Reuters bashkëthemeluesja e organizatës “Ndihmoni Refugjatët”, Josie Naughton.

Autoritet serbe kanë kërkuar nga të gjithë migrantët që të futen nëpër qendrat e azilkërkuesve.

Qindra migrantë kanë mbetur në strehimore të improvizuara apo nëper depo të braktisura dhe vagona treni në Beograd.

Agjencia për refugjatë e qeverisë serbe ka thënë se rreth 400 persona janë pajtuar që të largohen nga rrugët prejse është përkeqësuar moti, javën e kaluar.

E njëjtja agjenci ka thënë se asnjë grua apo fëmijë nuk është momentalisht duke e kaluar natën nëpër parqe apo stehimore jo zyrtare.

Mirëpo, organizata “Save the Children” ka thënë se rreth 1500 migrantë, përfshirë edhe qindra fëmijë pa mbikqyrje, disa prej të cilëve të moshës 10 vjeçare, janë duke fjetur nëpër objekte të braktisura.

Andreas Ring, përfaqësuesja për Ballkanin e “Save the Children”, ka thënë se Bashkimi Evropian e ka për detyrë që të garantojë sigurinë e migrantëve.

“Dështimi i BE-së për të reaguar po lë mijëra refugjatë dhe migrantë, përfshirë edhe fëmijë pa përcjellje, thjeshtë në të ftohtë”, ka thënë ajo.

Autoritetet kanë thënë se shumë migrantë nuk e duan ndihmën, pasi frikësohen që kështu do të paraburgosen apo bllokohen derisa janë në lëvizje drejt Evropës Perëndimore.

Greqia ndërkohë e ka dërguar një anije për bartjen e tankeve në ishullin e Lesbos e cila ka mundësi të strehojë 500 refugjatë dhe migrantë që kanë qenë duke jetuar në kampe ku grupet e mjekëve kanë thënë se kushtet janë “jo-njerëzore”.

Shkollat janë mbyllur në Lesbos dhe në zonat që janë më së keqi të goditura në Serbi dhe Rumani.

Policia kufitare në Moldavi përkohësisht ka mbyllur shtatë pika kufitare me Ukrainën për shkak të të reshurave të dendura të borës.

Në Rumani, stuhitë kanë mbyllur 130 rrugë dhe kanë shkaktuar vonesa të gjata dhe anulime të udhëtimeve me tren.

Pjesë të mëdha të Bullgarisë veriore dhe lindore janë paralizuar nga bora e cila ka bllokuar rrugë dhe mbi 100 qyteza dhe fshatra ka lënë pa energji elektrike.

Edhe autostrada që e lidh kryeqytetin Sofia me portin në Detin e Zi të Burgasit është mbyllur.

Ushtarët bullgarë kanë përdorur makineri të rëndë për të pastruar rrugët kryesore, për t’i shpëtuar njerëz e bllokuar dhe për të furnizuar fshatrat rurale me ushqime dhe ujë.

Ministria e energjisë së Bullgarisë ka thënë se ka refuzuar kërkesat për energji nga vendet fqinje si Greqia dhe Turqia për të evituar reduktimet për banorët vendës. (REL)