FSShK për mospagesën stimuluese paralajmëron veprime radikale

E publikuar: 31/08/2020 15:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, pas shqyrtimit të situatës lidhur me pagesën e stimulimeve për punonjësit shëndetësor, ka tërhequr vërejtjen të gjitha strukturave menaxheriale se me mospërfilljen e tyre po i shtynë në veprime radikale sindikale sepse është kërkesë e anëtarësisë së gjërë sindikaliste.

Federata tha se lojën të cilën jenë duke e bërë nuk tolerohet më.

“Na vjen keq për pacientët tanë që i kemi në trajtim por ne jemi lodhur me premtimet dhe neglizhencën politike të strukturave menaxheriale të lartë përmendura. Me veprimet dhe mosveprimet tuaja jeni duke na shtyrë në lëshimin e përgjegjësive profesionale tek Ju të dashur politikaj. Nëse edhe një pacient vdes për shkak të veprimeve sindikale në të cilat do futemi të shtyrë nga ju “qeveritarë të nderuar” përgjegjësia është e Juaja. Për fund: të gjithë punëtorët e sistemit shëndetësor dhe stafi mbështetës janë në vijën e parë të frontit, aty ku luftohet për jetë a vdekje, kurse ju, ka disa muaj neglizhoni, ofendoni, inskenoni se a do të jepni lëmoshë a jo për punonjësit e këtij sistemi- shtyllë e shtetit”, thuhet në komunikatë.