FSK-ja përfundoi me sukses operacionet e deminimit për vitin 2017

E publikuar: 05/12/2017 13:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kompania e Deminimit e Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së, në fund të muajit nëntor 2017, ka përfunduar me sukses operacionit e deminimit humanitar gjatë sezonit veror dhe të pastrimit të fushëbetejave, sipas planit të veprimit për vitin 2017.

Kompania e Deminimit e FSK-së, edhe gjatë këtij viti ka vazhduar bashkëpunimin shumë të mirë dhe profesional që e ka me ekipet e KFOR-it amerikan dhe me organizatat për pastrimin e fushave të rrezikshme që veprojnë në Kosovë.
Sipas raportit përmbledhës të Qendrës Koordinuese për Deminim në Ministrinë për FSK-në dhe të Kompanisë së Deminimit, pjesëtarët e kësaj kompanie që nga 1 prilli 2017, kur edhe kanë filluar operacionet humanitare për sezonin veror 2017, janë angazhuar çdo ditë pune në terren dhe sipas prioriteteve kanë punuar pandërprerë në këto lokacione: Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes së FSK-së në Ferizaj (brenda kazermës) dy ekipe, në lokacionin “Parku i Lirisë” në Ferizaj, (jashtë kazermës) dy ekipe dhe një ekip ka punuar në Paldenicë komuna e Hanit të Elezit, deri më 30 nëntor, kur e kanë përfunduar punën në terren me sukses dhe kanë bërë dorëzimin e fushave tek Qendra Koordinuese për Deminim (QKD).
Gjatë vitit 2017, ekipet e deminimit të FSK-së kanë pastruar gjithsej mbi 199906 metra katrorë, si dhe kanë zbuluar mbi 722 mjete të pashpërthyera, të cilat më pastaj i kanë asgjësuar, dhe 24 pjesë të mjeteve të ndryshme të bombave dhe kasetë-bombave.
Përpos deminimit humanitar dhe pastrimit të fushëbetejave, Kompania e Deminimit ka edhe Njësitë për Eliminimin e Mjeteve të Pashpërthyera (EOD), të cilat bëjnë kujdestari vazhdimisht 24 orë në ditë, gjatë 7 ditëve të javës, përgjatë gjithë vitit, në dy kazerma të FSK-së, në Prizren dhe në Pomozoton, si dhe aktivizohen për veprim sipas thirrjes së Policisë së Kosovës.
Gjatë këtij viti, deri më tani, kanë intervenuar sipas thirrjeve në 280 raste si dhe kanë demoluar dhe asgjësuar 710 mjete të ndryshme eksplozive të pashpërthyera si: granata, mina, bomba kasetore, projektil etj.

Kompania e Deminimit pas përfundimit të sezonit veror, do të angazhohet në realizimin e planit të paraparë për sezonin dimëror, e që është; aksioni vullnetar i mbajtjes së ligjëratave në shkolla fillore dhe të mesme për vetëdijesimin e nxënësve nga minat dhe mjetet tjera të pashpërthyera dhe mjetetet piroteknike, si dhe realizimi i trajnimeve të ndryshme profesionale për pjesëtarët e kësaj kompanie.
Falë punës profesionale, eksperiencës dhe disiplinës, edhe gjatë këtij viti pjesëtarët e Kompanisë së Deminimit kanë kryer me sukses aktivitetet gjatë operacioneve për pastrimin e fushave të minuara pa pasur asnjë incident apo dëmtime tjera./Infosot/