“Friedrich-Ebert-Stiftung” e pranon autorësinë e draftit për Asociacionin, por thotë se është version i vjetër

E publikuar: 21/10/2022 19:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Friedrich-Ebert-Stiftung-csm_Berlin_Schild_Heike_Waechter

Instituti gjerman “Friedrich-Ebert-Stiftung” ka konfirmuar se bashkë me Institutin Evropian për Paqe janë autorë të draftit të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që doli të enjten në publik.

Por, përmbajtjen e draftit ky institut e ka quajtur të vjetër.

“Versioni që u publikua dje është një version i vjetruar. Shpresojmë që së shpejti ta përfundojmë punën tonë dhe ta ndajmë më pas me publikun”, thuhet në përgjigjen e këtij instituti për RTV Dukagjinin.

“Friedrich-Ebert-Stiftung” ka shtuar se drafti është hartuar nga zyra e tij në Prishtinë dhe jo nga ajo në Beograd, siç ka thënë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

“Jo. Vërejtjet e Vuçiq janë të pasakta. Ky është një projekt i realizuar nga Zyra e Fondacionit Friedrich-Ebert në Prishtinë. Zyra jonë partnere në Beograd nuk ishte e përfshirë në hartim. Çdo përfshirje e zyrës sonë partnere ishte e kufizuar në mbështetje logjistike”.

Presidentja Vjosa Osmani e ka quajtur “fake news” lajmin se mbi tavolinë Kosova ka ndonjë draft rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ajo tha se Kosovës nuk i është dorëzuar asnjë draft i shtetit gjerman, teksa potencoi se një gjë të tillë as nuk do të ketë.

“Për shkak se qëndrimi i partnerëve tanë është i qartë pasi ata nuk thonë vetëm themelojeni Asociacionin, por edhe pjesa e dytë e kërkesës është shumë me rëndësi, e përmendin që asnjë veprim i tillë nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Osmani, sot, në një konferencë për media.

E para e vendit ka përmendur edhe takimin që ka pasur me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ku tha se ai rikonfirmoi që Kosovës nuk do t’i kërkohet asgjë që do të bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese./Klankosova.tv