Forumi 2015 diskuton rreth pritjeve të Kosovës nga përfundimi i dialogut me Serbinë

E publikuar: 28/09/2017 18:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Forumi 2015 organizon tryezën diskutuese të radhës, ku do të trajtohet rrugëtimi i dialogut Kosovë-Serbi dhe e ardhmja e tij në realitetin e ri politik në këto dy vende.

“Pas një viti stagnim të procesit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, elitat politike dhe bashkësia ndërkombëtare duken të vendosura për vazhdimin e këtij dialogu. Mirëpo deri më tash, ky proces është përcjellë nga eskalime dhe tensione në skenën politike kosovare. Siç ka qenë deri tani, dialogu është kritikuar për mungesë të transparencës dhe mos-implementim të marrëveshjeve të arritura”, thuhet në thirrjen e e Forumit 2015.

Diskutimi i Forumit 2015 synon të shpalosë skenarët e mundshëm të së ardhmes së këtij dialogu të shumëpërfolur, duke prekur aspekte të rëndësishme që do të përcaktojnë suksesin apo dështimin e këtij procesi. “Duke filluar nga ri-strukturimi i dialogut, ide kjo e plasuar nga elitat politike të dy shteteve, integrimi i serbëve të Kosovës, e deri te njohja e Kosovës si shtet nga Serbia, anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, e veçanërisht përparimi i Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt BE-së, janë çështje kyçe të cilat duhet marrë parasysh kur trajtohen të arrirat dhe mangësitë e këtij procesi. Ky diskutim synon të trasojë rrugën drejt të menduarit se si do të duhej të duket marrëveshja finale në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Sipas njoftimit, përmes kësaj, do të konsiderohen skenarë të mundshme të cilat dhe do të vlerësohen mundësitë dhe kufizimet që ka pala Kosovare për të përfituar nga dialogu. Diskutimi do të paraprihet nga një analizë e punuar nga Agron Bajrami.

Paneli diskutues do të përbëhet nga: Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje; Veton Surroi, themelues i kompanisë mediale KOHA; David L. Philips, Instituti për Studimin e të Drejtave të Njeriut, Universiteti i Columbia-s; Boško Jakšić, gazetar, komentator.

Publikimin nga Agron Bajrami mund ta shkarkoni në këtë vegëz.

Tryeza mbahet nesër 29 shtator 2017, në hotelin Swiss Diamond, ora 10:00.