Fletëvotimet me probleme, Rama i VV’së: Kemi dorëzuar ankesë në PZAP, KQZ s’ishte e gatshme t’i korigjojë shkeljet

E publikuar: 03/03/2025 23:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, ka treguar se kanë dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për siç thotë ai shpalljen e disa fletëvotimeve si të pavlefshme për shkak se nuk është shtypur fletëvotimi siç duhet.

Shpalljene këtyre fletëvotimeve si të pavlefshme, Alimi i ka quajtur si absurde.

“Me qindra fletëvotime, si këto më poshtë, janë shpallur të pavlefshme nga numëruesit e QNR-së për një arsye absurde, sepse qytetarët nuk i kanë shtypur ato siç duhet. Por në të gjitha këto fletëvotime qëllimi i votuesit është i qartë dhe i pakontestueshëm. Insistimi ynë për të mos i shpallur të pavlefshme këto fletëvotime nuk është i pabazuar dhe as i paligjshëm. Në Rregulloren Zgjedhore të KQZ-së (NR. 12/2024 për Votimin, Numërimin në Vendvotim dhe Menaxhimin e Vendvotimit) thuhet qartë”,, ka thënë ai.

Rama ka thënë se është e domosdoshme të mbrohet vullneti i votuesve.

“Vota është e vlefshme kur votohet vetëm një subjekt politik dhe kuptohet qartë qëllimi i votuesit. Në të gjitha këto fletëvotime figuron vetëm një subjekt politik që është dëshmi e qartë e qëllimit të votuesve. Por aq sa është i qartë vullneti i qytetarëve në këto fletëvotime, po aq i qartë është edhe qëllimi i shumicës së anëtarëve të KQZ-së për t’i shpallur ato të pavlefshme, një përpjekje kjo e qëllimshme për të shkelur përcaktimin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës në mërgatë dhe me këtë edhe parimet themelore të demokracisë. Duke parë që KQZ-ja nuk është e gatshme të korrigjojë këto shkelje për arsye krejtësisht politike, kemi dorëzuar tashmë ankesën tonë në PZAP. Çdo përpjekje për të manipuluar vullnetin qytetar është cenim i thellë i vetë demokracisë”, ka shkruar ai në Facebook, të hënën.