Flet Ministri i Brendshëm: Kërkimet janë zgjeruar edhe në pjesën maqedonase të Lepencit

E publikuar: 29/04/2018 14:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka thënë se kanë krijuar kontakte me palën maqedonase për të kërkuar trupat e dy policëve, që u aksidentuan të shtunën mbrëma, me veturë e cila kishte rënë në lumin Lepenc.

Gashi ka thënë se të gjitha institucionet janë angazhuar për gjetjen e dy zyrtarëve policorë, të cilët ishin në detyrë kur ka ndodhur aksidenti.

“Kemi krijuar kontakte me palën maqedonase. I kanë bërë disa pengesa në lumë, nëse prej kohës së reagimit, kanë mbërri diçka. Aksioni po vazhdon”, ka thënë Gashi, për Express, të shtunën.

“Kemi përdorë të gjitha kapacitete për t’i gjetur sa më shpejt”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, ka konfirmuar se hetimet janë duke i zhvilluar, por nuk ka treguar nëse ka pista tjera të hetimeve përpos të aksidentit në Lepenc.

“Janë duke u marrë. Janë angazhuar ekipet hetuese. Nuk mund të japi deklarata dhe janë në proces institucionet përkatëse. Ato do të na japin një raport, me të cilin do t’i njoftojnë edhe publikun”, ka shtuar ai.

Udhëheqësi i Punëve të Brendshme në Kosovë, që ka marrë pozitën para tri javësh, ka thënë se ka urdhëruar gjithë vartësit dhe agjencitë tjera për të punuar në gjetjen e trupave të policëve.

“Isha në vendin e ngjarjes. Të gjitha njësitë e specializuara kanë dalë në vendin e ngjarjes. Janë marrë të gjitha rastet që merren në raste të tilla. Krejt çka është në autoritetin tim i kam urdhëruar. Të gjithë vartësit e mi i kam autorizuar dhe agjencitë e specializuara”, ka shtuar ai.

Dy policët që ishin pjesë e Stacionit Policor në Kaçanik ishin aksidentuar të shtunën teksa ishin në një patrull në dalje të qytetit.

Ende nuk ka asnjë rezultat në gjetjen e tyre derisa kërkimet po i vazhdojnë edhe në pjesën e Maqedonisë.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/flet-ministri-i-brendshem-kerkimet-jane-zgjeruar-edhe-ne-pjesen-maqedonase-te-lepencit-530380/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright