Fjalimi përmbyllës i kryetarit Alban Hyseni:

E publikuar: 15/10/2021 21:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të dashur banorë të Gjilanit
Të nderuar anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Të dashur aktivistë
Mirë se po takohemi në ditën e fundit të fushatës për zgjedhjet lokale në Gjilan.

Dy dekada keqqeverisje sollën dëshpërim dhe ngecje në zhvillim edhe në Gjilan si kudo në Kosovë. Pabarazia sociale, keqpërdorimet dhe keqmenaxhimi, nepotizmi e punësimet partiake janë shumë të theksuara dhe anomali që e përcjellin Gjilanin tash e 20 vite. Nga 17 tetori ato do t’i përkasin të kaluarës dhe bashkë do të ndërtojmë e zhvillojmë Gjilanin e gjeneratës së re. Ne jemi gati që bashkë me ju të ndryshojmë këtë mendësi. Zotohemi që guximshëm do të punojmë së bashku për Gjilanin që duam, për Gjilanin e mundësive për investitorë, Gjilanin e mundësive për gratë e të rinjtë, për artistë e sportistë, për bujkun e fermerin, për Gjilanin e mundësive të barabarta për të gjithë.

Reformimi është i domosdoshëm në arsim, zotohemi se do të marrim të gjitha masat në përmirësimin e cilësisë. Do të angazhojmë ekspertë të fushës për avancimin dhe menaxhimin e procesit edukativ e arsimor. Gjilanit do t’i shtojmë çerdhe të reja, kënde të lojërave për parafillorë, dollape për libra të nxënësve, kënde leximi nëpër shkolla, e mësimin tërëditor do ta fillojmë me shkollën model.

Reformimi është i domosdoshëm në shëndetësi. Qytetarët duhet të marrin shërbime shëndetësore cilësore. Do t’i shtojmë shërbimin mamografik e shërbimet e kujdesit në shtëpi. Rivitalizimin dhe rritjen e funksionalitetit të qendrave shëndetësore do ta kemi prioritet në shëndetësi.

Mirëqenie dhe barazi për të gjithë është motoja jonë e punës dhe e angazhimit në shërbim të qytetarëve.
Ekonominë në Gjilan gjithashtu duhet dhe do ta ringjallim. Zonën ekonomike do ta bëjmë teren të përshtatshëm e me kushte të favorshme për investitorë vendor, lokal, e të jashtëm. Prodhimtarinë do ta ringjallim e Gjilanit do t’ia shtojmë perspektivën.

Fshatrat e Gjilanit ishin të harruara, pa investime e me shumë probleme të akumuluara ndër vite. Me qeverisjen tonë do ta kthejmë vëmendjen kah fshatrat e do t’i shtojmë investimet aty përmes krijimit të infrastrukturës e rritjes së potencialit për turizëm rural.
Barazi dhe transparencë në ndarjen e subvencioneve. Asistencë teknike e profesionale për ta zhvilluar bujqësinë. Treg të sigurtë për produkte bujqësore.

Katër projekte për “Gjilanin e Gjelbër.” Do të ndërtojmë qendrat e mëdha rekreative sportive tek liqeni në Livoç të Epërm dhe tek penda në Përlepnicë. Gjilanit do t’ia shtojmë gjelbërimin me “Brezin e Gjelbër” përgjatë rrethinës së qytetit dhe ‘’Koridorin Gjelbërues’’ brenda qytetit. Parqe të gjelbëra dhe hapësira të lojërave për fëmijë për çdo lagje e çdo lokalitet.

Transparencë dhe rritje të efikasitetit në administratën komunale, lehtësira dhe thjeshtëzime në procedura për marrjen e shërbimeve.

Do të ndërtojmë impiantin për trajtimin e ujërave të zeza. Ujë të pijshëm për çdo lagje e fshat, parkingje të reja, mirëmbajtje e rehabilitim të infrastrukturës.

Zotohemi për themelimin e Fondit për Ndërmarrësit e Rinj, ndërtimin e laboratoreve për Teknologji Inovacion e Art dhe përkrahje direkte për të rinj sidomos në sferën e edukimit. Vëmendje të veçantë për ide inovative dhe projekte rinore.
Gjilani njihet edhe në nivelin ndërkombëtar për art dhe kulturë. Do të krijojmë kushte dhe do të ofrojmë mbështje për artin dhe artistët. Kinemanë do ta rikthejmë për qytetarët dhe bibliotekën do ta pasurojmë me tituj e digjitalizim të shërbimeve dhe qasje në bibliotekë elektronike. Aktivitetet kulturore do t’i zgjerojmë edhe në fshatra duke funksionalizuar dhe mirëmbajtur objektet kulturore.

Përveç artit dhe kulturës, Gjilani shquhet edhe për sportin dhe sportistët që me krenari nderojnë qytetin përkundër kushteve të vështira për stërvitje e lojë. Me marrjen e mandatit do të sigurohemi që të bëhet ndërtimi i shumëpritur i stadiumit të qytetit, e emrin e tij do e vendosim bashkarisht. Do të rehabilitojmë palestrën sportive “Bashkim Selishta”. Do të shtojmë terenet sportive në qytet dhe fshatra. Do ta përfundojmë projektin e stërzgjatur të stadiumit të qytetit. Mbështetje për klubet reprezentative, klubet e vogla, shkollat e sporteve dhe edukimin sportiv në moshat e hershme.

Të dashur qytetarë
Te dashur aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Besimin në institucione lokale do ta kthejmë së bashku.
Parimet bazë që do të na udhëheqin, në kthimin e Gjilanit kah e mbara e kah zhvillimi, do të jenë ndershmëria dhe profesionalizmi.
Të dashur qytetarë, ju që na përkrahët dhe na ngritët si subjekt, hapët dyert e shtëpive tuaja dhe na mirëpritët përzemërsisht, me shumë mirënjohje dhe përulësi ju faleminderit.
Të dashur aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ju që për 16 vite nuk u ndalët asnjëherë në përballje dhe betejën për ndryshim. Ju qytetarë me të cilët jemi takuar këto ditë të mbushura me aktivitete të organizuara nga ju, edhe ju, që besuat fort se Gjilani duhet dhe mund të qeveriset ndryshe, gëzojuni këtij momenti të shumëpritur, sepse nga 17 tetori po fillon periudha e mbarë, ku Gjilani do të udhëhiqet ndryshë.
Pafundësisht falënderime për të gjithë ju dhe secilin prej jush, që parreshtur u angazhuat deri në sakrificë dhe vetmohim në shërbim të kauzës për barazi dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët, pa dallim.
Fitorja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan është fitore e juaja dhe qytetarëve të Gjilanit.
144 është numri për komunën dhe listën tonë, ku secili kandidat përfaqëson vlera të larta njerëzore e profesionale.
Bashkë qeverisim nga e hëna, guximshëm, me ndershmëri dhe profesionalizëm për Gjilanin ndryshe.

Faleminderit e mirë u pafshim në fitoren e madhe të ndryshimit, në raundin e parë, pa balotazh.

Sekretariati për Media dhe Komunikim
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Gjilan