Euronews: Vizat, ndër sanksionet ndaj Kosovës nëse Kurti s’u bindet ShBA-së e BE-së

E publikuar: 07/06/2023 12:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë duke konsideruar dy faza me masa ndaj Kosovës nëse nuk u bindet kërkesave të tyre për shtensionim të situatës në veri, përfshirë sanksione ndaj kryeministrit Albin Kurtit e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, sipas një dokumenti të brendshëm qeveritar amerikan, ka raportuar “Euronews Albania”.

Në këtë artikull thuhet se faza e parë e sanksioneve do të parashikonte ngrirjen e fondeve të BE-së, procesin e liberalizimit të vizave, procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, fondet e SHBA-së dhe projekte të tjera të financuara nga perëndimi.

Në fazën e dytë, aleatët e Kosovës do të merrnin një qëndrim pasiv ndaj fushatës së çnjohjes së Serbisë kundër Kosovës, riorganizimit të pranisë ushtarake ndërkombëtare dhe reduktimit serioz të kontingjentit amerikan dhe përjashtimit të Kosovës nga disa organizata ndërkombëtare.

Gjithashtu, sipas Euronews parashihen edhe sanksione individuale ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të brendshëm Xhelal Sveçla, nëse situata përkeqësohet më tej. Kjo mund të përfshinte edhe shpalljen e të tyve “non-grata me justifikimin se përbëjnë një kërcënim për sigurinë dhe paqen”.

Euronews raporton se në dokumentin që citohet ta kenë parë thuhet se “komuniteti transatlantik ka një nevojë jetike për të mos lejuar një qendër krize prapa linjave të kontaktit me Rusinë. Me nisjen e planit franko-gjerman, ekzistonte bindja se do të lindnin probleme me palën serbe, pasi është palë kokëforë dhe jokonstruktive”.

Aty sipas Euronews thuhet se “askush nuk e priste që do të ishte qeveria e Kosovës ajo që me veprimet e veta do të nxiste pasigurisë dhe do të nxiste krizat dhe konfliktet”.