EULEX, në fund të mandatit, vendos t’i mbajë sekret emrat e të akuzuarve për mashtrim me veteranë

E publikuar: 18/04/2018 15:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

EULEX që pothuajse gjatë gjithë mandatit është kritikuar për spektakle me procese gjyqësore, një muaj para si të përfundojë misionin në Kosovë ka vendosur të duket më serioz se zakonisht.
Prokurori i EUELX’it që ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave për mashtrim me lista të veteranëve po thotë se për interes të procesit gjyqësor ka vendosur të mos zbulojë emrat e të akuzuarve.

Gazeta Express është interesuar të marrë të dhëna për identitetin e të akuzuarve – që dyshohen se përveç se përfituan materialisht me lista të veteranëve, të kenë përfituar edhe favore seksuale nga një grua – por përgjigja e Prokurorisë së Shtetit ka qenë kjo.

“Prokurori ka vendosur të mos zbulojë identitetin e të pandehurve, për momentin, duke vepruar në interes të proceseve gjyqësore të mëtejshme. I lusim mediat ta respektojnë këtë vendim”, ka thënë për Express zëdhënësi Ekrem Lutfiu, duke iu referuar përgjigjes që ka marrë nga prokurori special i EULEX’it që ngriti aktakuzën.

Misioni i EULEX’it që nga funksionimi i tij në Kosovë, pas shpallje së pavarësisë në vitin 2008, e deri më tash kur i ka mbetur veç edhe një muaj mandat, nuk ka zbatuar praktikë të tillë.

Madje, ky mision shpesh herë ka qenë edhe i pakujdesshëm, jo vetëm në rrjedhjen e emrave por edhe të provave dhe materialeve tjera të ndjeshme. Nga hetimet e këtij misioni në media ka pasur raste kur kanë rrjedhur edhe biseda telefonike të përgjuara nga prokurorët e këtij misioni, e të paklasifikuara.

E se kush janë gjashtë të akuzuarit për katër vepra penale “Ushtrim i ndikimit”, “Mashtrim dhe Falsifikim të dokumenteve”, “Posedim i paautorizuar i armëve”, “Mundësim ose detyrim në prostitucion”, ka thënë të mos jetë në dijeni asi Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.

“Me dite nuk e dimë kush janë. Edhe ne përmes mediave kemi dëgjuar”, ka thënë ai përmes telefonit, në një bisedë të shkurtër për Gazetën Express.

Ndryshe, EULEX ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave që dyshohen se kanë ushtruar ndikimin e tyre që në këmbim të pagesave deri në 1 mijë euro, të sigurohet statusi dhe pensioni i veteranit të UÇK-së.

Aktakuza, sipas njoftimit të Prokurorisë së Shtetit, përfshin edhe detyrimin në prostitucion, duke pretenduar se njëri nga të akuzuarit ishte përfshirë edhe në shtytjen dhe aranzhimin e marrëdhënieve seksuale me pagesë ndërmjet një gruaje dhe disa burrave, duke përfituar nga kushtet e rënda ekonomike të saj.

“Policia e Kosovës dhe e EULEX-it i kanë filluar hetimet e tyre të përbashkëta në janar të vitit 2016. Hetimet kanë sjellë deri te zbulimi i një rrjeti ilegal të tregtimit të armëve dhe një sasie të armëve që përbëheshin nga eksplozivë dhe dy armë automatike. Përveç këtyre, në posedim të pandehurve ishin kapur edhe disa armë tjera të ndryshme”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi prokuroria pretendon se të pandehurit kanë ushtruar ndikim në mënyrë që të siguronin statusin dhe më pastaj edhe pensionin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së në këmbim të një pagese deri në një mijë euro.
Të pandehurit kësisoj e kanë dëmtuar buxhetin shtetëror të Kosovës, thuhet në kumtesë, përcjell Gazeta Express.

“Tre të pandehur janë akuzuar për veprat penale në lidhje me këto veprimtari (Ushtrim i ndikimit, Mashtrim dhe Falsifikim të dokumenteve), nga të cilët dy ishin falsifikuesit e këtij statusi me anë të mashtrimit, ndërsa njëri ishte përfitues i statusit të falsifikuar të veteranit të luftës”.

“Në të njëjtën kohë, njëri nga të pandehurit ishte përfshirë edhe në shtytjen dhe aranzhimin e marrëdhënieve seksuale me pagesë ndërmjet një gruaje dhe disa burrave; duke përfituar nga kushtet e rënda ekonomike të saj dhe duke përfituar nga kjo veprimtari”, thuhet më tej në njoftim.

Aktakuza është ngritur në Gjykatën Themelore të Mitrovicës. /GazetaExpress/.