“Është momenti i fundit që Vitia të deklarohet se a do të jetë ministër i të gjithëve”

E publikuar: 17/09/2021 12:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës sot ka protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë̈, lidhur me nxjerrjen e udhëzimit administrativë për shtesat mbi pagë të bazuar në Ligjin për luftimin dhe parandalimin e pandemisë.

Kryetari i federatës, Blerim Syla, deklaroi para mediave se kjo protestë është simbolike me pak persona për shkak të situatës me pandeminë, edhe pse siç u shpreh, e kanë telefonuar shumë kolegë duke dashur që t’i bashkëngjiten sot aty.

Ai po ashtu tregoi se protesta është e ndarë në dy pjesë, kjo para MSH-së, dhe tjetra që pritet të zhvillohet pas dy orës para kryeministrisë.

“Kjo protestë ka të bëjë me atë se mu në këtë ndërtese, ministri Arben Vitia përgjatë gjithë këtyre muajve e ka neglizhuar totalisht punëtorin shëndetësor dhe e ka ndërprerë çdo dialog social me ne. I vetmi takim me të ka qenë vetëm një herë ku kemi ofruar ndihmë për vaksina”.

Ai akuzoi Vitinë se kërkesat e tyre nuk janë adresuar në Qeveri përmes tij dhe se për shkak të neglizhencës së tij po ndodh degradimi i punëtorëve shëndetësor, sepse siç tha, punëtorin shëndetësor ai e ka lënë në mëshirë të menaxherëve të vegjël dhe vartësve te tyre.

“Prandaj sindikata sot s’ka pasur rrugëdalje tjetër. Është momenti i fundit që Vitia të deklarohet se a do të jetë ministër i të gjithëve apo do të na lërë edhe më tutje në mëshirën e fatit”.

“Nuk është e vërtetë që kemi mjaftueshëm barna, siç ka thënë ai. Madje marria më e madhe që e ka bërë është se është deklaruar që ‘në kuadër të ndihmës ne i kemi dhënë këtyre edhe vaksinat’, e ky është turp edhe ofendim”.

“Ato 60 euro kanë qenë shumë ofenduese, që e kanë shkelur edhe ligjin antiCOVID, për çka mund të pasoje edhe padia”, u shpreh Syla.