A është kombi në shitje?

E publikuar: 18/05/2017 19:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Blerim N. Krasniqi, politolog

Tek popujt e Ballkanit, gati pa ndonjë përjashtim, përkatësia kombëtare ka shumë rëndësi në jetën e përditshme.
Në emër të këtij postulati, ofendimet, trillimet, shantazhet e poshtërimet publike janë të zakonshme dhe të përditshme.
Para se ta shtjellojmë këtë, duhet ta definojmë saktë se çka është kombi. Nga latinishtja: natio dmth. lindje, por që nënkupton edhe një grup të madh njerëzish të bashkuar me prejardhje, histori, kulturë ose gjuhë të përbashkët, e që banojnë në një shtet apo territor të caktuar (en.oxforddictionaries).
Në rastin tonë, ky definicion na shtrembëron synimin, pasi në Ballkan, e në veçanti tek shqiptarët, kombi nuk është tregues vetëm i një bashkësie që flasin njëjtë dhe që kanë zakone të njëjta (?!), por është thelbësor sa i përket jetës së përditshme.

Ndërsa dyqani definohet si vendi ku mund të blejmë të gjitha të mirat, ndërsa të drejtat e pronarit të dyqanit njihen si e drejta për të vendosur rregullat e sjelljes brenda hapësirës që ai e menaxhon.

Çka kanë të përbashkët kombi dhe dyqani? Në princip asgjë, por në Ballkan kombi trajtohet sikur kombi të jetë dyqan. Shumë njerëz të cilët në aspektin teorik e as atë të përditshëm nuk ia kanë haber se çka është kombi, ata e vet autorizojnë veten e tyre kënd me shpall person që e donë kombin dhe vendosin kënd ta shkombëtarizojnë.
Edhe pse shkombëtarizimi mund të konsiderohet si mënyrë e veprimit të klerikëve të feve monoteiste, pasi ato besimtarët e tyre i trishtojnë me përjashtim nga feja dhe bashkësia.

Për ilustrim më të mirë të kësaj sjelljeje antishoqërore, këta personat e shumtë do ti quajmë pronarë të dyqanit kombëtar.

Këta pronarë sillen sikur kombi të jetë ndonjë dyqan dhe ia njohin vetit të drejtat e pronarit, ku këta mund ta lejojnë të hyjë kënd të duan në dyqanin kombëtar, kënd të duan ta tërheqin zvarrë e ta hedhin tutje nga dyqani kombëtar, bile edhe ta mbyllin derën e nuk të lënë të hyjsh fare.

Sipas tyre, kombi si pikënisje fillon me shkronjën A, pastaj shpesh herë e zëvendëson edhe ajrin…

Pronarë të dyqanit kombëtar gjinden në të gjitha shtresat shoqërore: nëpër shkolla, nëpër familje, nëpër institucione, në kafene. Ata mund ti gjesh në mesin e bujqve e akademikëve, në mesin e hajnave e në mesin e politikanëve, në mesin e gazetarëve e në mesin e aktivistëve politik.

Dyqanxhinjtë kombëtar, nëse duan, ty sot mund të shpallin personin e rrallë që e ka kombi dhe të lartësojnë aq lart sa edhe ti çuditesh me veten tënde. Por të njëjtit dyqanxhinj, të nesërmen mund të shpallin sikur anti kombëtarin më të madh që e mban mend ky komb e kjo tokë.
Ka raste kur këta dyqanxhinj, bashkëpunimin e ndonjë personi me forcat e huaja apo me ndonjë shtet mik të kombit tonë e quajnë si veprim me vend e me mend, lëvizje vizionare. Por të njëjtit, nëse ndodh ndonjë zhgënjim me shtetin mik apo me personin vizionar, atëherë të quajnë bashkëpunëtor të armikut.

Për këtë dukuri ka shumë shembuj në nivel kombëtar, nivel lokal, e në nivel familjar.

Pas këtij shtjellimi sipërfaqësor, vijmë tek pika ku fillimisht duhet ta pranojmë se ekziston kjo dukuri dhe shumë kënd e ka lënduar dhe e ka poshtëruar. Pyetja që ndoshta na kthjell dhe na distancon nga këta dyqanxhinj kombëtar është: përkatësinë kombëtare a mundet dikush të na marrë apo të na japë?

Jam i vetëdijshëm që ky shtjellim do të ndikoj shumë në zbehjen e “qarkullimit ditor” të dyqanxhinjve kombëtar, sepse qytetarët shqipfolës do të vetëdijesohen se çështja kombëtare është individuale dhe askush nuk është i autorizuar për shkombëtarizim apo kombëtarizim të individëve dhe besoj se nuk do të kërkojnë e as nuk do të presin aprovim nga askush.