Escobar: Njohja reciproke duhet të jetë rezultat i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë

E publikuar: 13/09/2021 19:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan për Çështje Evropiane dhe të Euroazisë , Gabriel Escobar, i cili nga shtatë shtatori është në vend të Mathew Palmer, ka deklaruar se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë rezultat i marrëveshjes së dialogut dhe se pos kësaj anëtarësimi i dy vendeve në Bashkimin Evropian, do të jetë prioriteti tjetër në proces.

Këto deklarime Escobar i bëri gjatë një debati online të organizuar nga Qendra Evropiane e Politikave.

Nga ana e tij Emisari Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak nuk ka mundur të thotë se rezultati final i bisedimeve kosovaro-serbe do të jetë njohja, por se sipas tij me ujdi finale i hapet perspektiva evropiane sikur Kosovës ashtu edhe Serbisë dhe se kjo marrëveshje Kosovës i ndihmon të stabilizohet në arenën ndërkombëtare dhe të ruajë territorin e saj.

Duke komentuar deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani se Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe nuk do të themelohet, emisari evropian tha se në bisedimet vlen rregulli i politikës ndërkombëtare se “krejt pikat për të cilat është arritur një marrëveshje duhet të zbatohen”.

Lajçak, të mërkurën e 15 Shtatorit vjen për vizitë tre ditore në Kosovë, pas kësaj ai shkon në Serbi.