Escobar: Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen deri në fund të verës

E publikuar: 21/05/2023 17:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Gabriel Escobar

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vlerësoi se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është një “arritje e madhe” dhe se ajo paraqet një “hap historik përpara” në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Në një intervistë për agjencinë Mina, Escobar tha se “nuk sheh arsye” pse marrëveshja për çështjet e mbetura të mos mund të arrihet deri në fund të verës.

Siç tha ai, në Serbi ka disa elemente që duhet të plotësohen sa i përket njohjes së targave të veturave, letërnjoftimeve dhe disa gjërave të tjera.

“Në Serbi janë disa elemente që duhet të plotësohen sa i përket njohjes së targave të veturave, kartave të identitetit dhe disa gjërave të tjera. Edhe nga Kosova pritet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në fakt, nuk është pritshmëri. Është obligim”, tha Escobar.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara duan që këto procese të zhvillohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Nuk shoh asnjë arsye pse të mos mund të përfundojë deri në fund të verës”.

Ai përkujtoi se marrëveshja mes dy palëve është ligjërisht e detyrueshme dhe se tani shtrohet pyetja se si të zbatohet plotësisht.

Escobar tha se është optimist se qëllimi do të arrihet dhe beson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq “mund të tregojnë guximin e nevojshëm politik për të ndërmarrë hapat e duhur”.

Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, ndërsa më 18 mars, në Ohër, u pajtuan për aneksin për zbatimin e saj. /REL