Emrat që mund të zëvendësojnë drejtorin e Policisë në Shqipëri

E publikuar: 02/09/2022 15:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kupola e policisë së shtetit po drejtohet aktualisht nga zëvendësdrejtori Tonin Vocaj ndërsa Ministria e Brendshme ende nuk ka dalë me një emër se kush do të jetë drejtues i organizatës policore.

Ndonëse në tavolinë janë tre emra si drejtuesi aktual i policisë së Tiranës Lorenc Panganika ai i mbikëqyrjes policore Muhamet Rrumbullaku por dhe vetë drejtori i komanduar Tonin Vocaj, nuk përjashtohet që në krye të policisë së shtetit të vijë dhe një prej drejtorëve në qarqe.

Kjo për vetë faktin se vetëm disa prej tyre kanë kaluar vetingun. Nga 12 lëvizjet që Gledis Nano bëri në qarqe në nivel drejtues bie në sy fakti se vetëm Skënder Hitaj, Hamdi Fjore, Luigj Vathi dhe Ardian Çipa kanë kaluar vetingun, ndërsa pjesa tjetër janë në pritje të rivlerësimit kalimtar.

E nëse Cipa, Vathi dhe Fjore kanë mbajtur poste drejtuese për vite me radhë në radhët e policisë së shtetit, emri i ri mes tyre është ai i Skënder Hitajt, aktualisht drejtor i qarkut të Dibrës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gledis Nano u shkarkua 31 gusht 2022 nga detyra, ku u emërua 10 muaj më parë pas dorëheqjes së Ardi Veliut.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se vendimi u mor për shkak të mos përmbushjes së objektivave, ndërkohë që vetë Nano në letrën për kolegët e tij shkruante se askush nuk mund ta ndërtojë personalitetin e tij nëpërmjet postit që mund t’i ofrohet. /A2 CNN/