Elshani mohon se KFOR-i kërkoi largimin e veturës së policisë: Kërkoi të shkrep disa fotografi

E publikuar: 04/09/2024 15:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka mohuar raportimet se ushtari italian i ka kërkuar policit të largojë veturën zyrtare, nga Ura e Ibrit.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani për Portalin Dukagjini ka sqaruar se policia është larguar pasi që ushtari italian shprehu dëshirën që të shkrepë disa fotografi të karabinerëve.

“Ushtari italian i ka kërkuar Policisë së Kosovës të largohet për të marrë disa foto të karabinerëve, por s’ka kërkuar largimin e policisë nga Ura e Ibrit”, ka thënë Elshani.

Të shtunën, por edhe sot, janë parë forca të shtuara të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR-it mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë.

KFOR ka thënë se vendosja e tyre është pjesë e trajnimit që KFOR-i kryen për të testuar procedurat e vjetra, dhe për të mbrojtur standardet më të larta operacionale.