Ekipi shtetëror zotohet se do të punojë sipas Kushtetutës

E publikuar: 05/01/2019 10:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe pas votimit të ekipit negociator për dialogun beteja përfundimtare në procesin e negociatave Kosovë – Serbi pritet të zhvillohet mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ekipi negociator vlerësohet se nuk do të ketë ndonjë rol vendimmarrës në këtë proces, përpos rolit teknik dhe atij plotësues, shkruan Gazeta “Zëri”.

Anëtari i ekipit negociator, Mahir Yagcilar, është shprehur optimist se ekipi negociator, presidenti dhe liderët e tjerë institucionalë do të bëhen me një zë sa i përket procesit të dialogut. Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, Kosova mund të arrijë t’i realizojë qëllimet e saj.

“Ashtu mund ta mbërrijmë synimin që Kosova të shkojë më tutje drejt integrimeve evropiane dhe ta marrë ulësen në OKB. Kjo çështje është e Kosovës dhe të gjithë bashkë besoj që do t’ia dalim”, ka deklaruar ai gjatë një prononcimi për “Zërin”.

Teksa ka folur rreth idesë së presidentit të Kosovës Hashim Thaçit për korrigjim të kufijve, Yagcilar ka thënë se ekipi shtetëror do të veprojë në harmonizim të plotë me Kushtetutën e Kosovës. 

“Ne do të punojmë sipas mandatit të rezolutës dhe Kushtetutës”, ka potencuar ai. Pavarësisht kundërshtimeve të përfaqësuesve të ekipit negociator, nga Zyra e presidentit nuk kanë treguar nëse kreu i shtetit Hashim Thaçi është tërhequr nga ideja për korrigjimin e kufijve Kosovë – Serbi./ZËRI