Ekipi olimpik i xhudos mëson shortin në rrugën drejt medaljeve olimpike

E publikuar: 22/07/2021 08:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ekipi olimpik i xhudos ka mësuar sot shortin para garave që i nisin të shtunën në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Të pesë garuesit e Kosovës me normë olimpike, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Akil Gjakova synojnë medalje olimpike, transmeton lajmi.net/

Trajneri Driton Kuka, që ka ndjekur online shortin për shkak të masave ndaj Covid 19, pret që garuesit e tij të vazhdojnë tutje edhe pas raundit të parë.

“Shorti në Lojërat Olimpike e ka rëndësinë e vet, por jo të madhe. Për ekipin tonë shorti është një nismë e rrugëtimit. Në xhiron e parë realisht garuesit tanë duhet të ecin tutje, e pastaj të shohim”, deklaroi Kuka.

Numri një në renditjen olimpike, Distria Krasniqi, e cila garon të shtunën, ka kaluar raundin e parë pa luftë, pasi është bartësja e parë e kategorisë deri në 48 kilogramë.

Në raundin e dytë do të përballet me fituesen e luftës mes Gabriela Chibana (Brazil) dhe Harriet Bonface (Malavi).

Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, në raundin e parë do të takohet me hungarezen Reka Pupp, kategoria deri në 52 kg. Kelmendi është bartësja e katërt. Ajo garon më 25 korrik.

Medalistja e bronztë e botës, bartësja e tretë e kategorisë deri në 57 kilogramë,

Nora Gjakova, raundin e parë e kalon pa luftë, ndërsa në raundin e dytë pret fituesen e luftës mes Sabina Filzmoser (Austri) dhe Sanne Verhagen (Holandë). Nora garon më 26 korrik.

Pa luftë në raundin e parë ka kaluar edhe medalistja tjetër e bronztë e botës,

Loriana Kuka, kategoria -78 kg. Ajo në luftën e dytë përballet me fituesen e duelit mes Marie Branser (Kongo) dhe Aleksandra Babintseva (Rusi), Kuka garon më 29 korrik.

Kampioni i Evropës Akil Gjakova në raundin e parë përballet me Ahmed Ayash të Jemenit, ndërsa nëse kalon kundërshtarin e parë, në të dytën e pret Nils Stump i Zvicrës, Gjakova garon më 26 korrik.

Para hedhjes së shortit, me nga një fjalë rasti janë drejtuar presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, si dhe drejtues tjerë të federatës dhe vendit mikpritës, ndërsa në prezantimin e kategorive, nuk kanë munguar pamje të xhudistëve kosovarë, të cilët janë vlerësuar lartë për potencialin që kanë.