Edi Rama: Shpresoj se Kosova dhe Serbia ta përqafojnë planin e BE-së

E publikuar: 16/03/2023 14:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është gjëja më e mirë që mund të ndodh.

Gjatë një konference për media, pas takimit me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe komisionarin Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ai ka shtuar se shpreson që Kosova dhe Serbia ta përqafojnë planin e BE-së.

Ju na keni dëshmuar respekt, përkushtim dhe vullnet të palëkundur për të na mbështetur në këtë rrugë që tani më është e hapur, e drejtë dhe natyrisht jo pa vështirësitë e veta. Më vjen shumë mirë që atmosfera e kësaj mbledhje ishte jashtëzakonisht pozitive. Kemi dakordësi të plotë në të gjithë boshtin e kësaj strategjie. Shqipëria sot nuk është më në fund të trenit të integrimit, por është në krye të këtij rajoni ku roli ynë vlerësohet si model në aspektin e paqes, dialogut dhe normalizimit”.

“Ne e shohim me admirim përpjekjen tuaj për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në këndvështrimin tonë, propozimi është gjëja më ë mirë që mund t’u ndodh atyre. Unë dua të besoj me gjithë zemër se asnjëra palë nuk do t’ia lejojë vetës të mos e përqafojë plotësisht dokumentin dhe programin e implementimit të tij sepse realisht BE-ja dhe ShBA-ja iu kanë ofruar palëve dhe rajonit një rrugë të re. Një portë të hapur të së ardhmes me paqe dhe një kohë tjetër të nevojshme për të arritur në pikën përfundimtare të njohjes reciproke”.