Edi Rama argat i Kurtit në ditët e vështira të dialogut me Serbinë

E publikuar: 21/09/2022 19:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një ditë pasi Sekretari Blinken i telefonoi Edi Ramës, Kryeministri Albin Kurti bëri një udhëtim të papritur drejt Shqipërisë. Dreka me kreun e Qeverisë Shqiptare më 14 qershor në Tiranë u dukë e pazakontë, pasi dy liderët nuk kanë marrëdhënie të mira. Pak është zbuluar nga ai takim, por vërehet që dy palët prej asaj dite kanë raporte më të mira. Burime të Express thonë se Kryeministri shqiptar ka marrë përsipër t’i ndihmojë Kurtit në ditë të vështira të dialogut me Serbinë dhe këtë ka filluar tashmë ta bëjë.

Fill pas takimit në vilën e Mehmet Shehut në kryeqytetin shqiptar, ku duket se ndodhi edhe pajtimi mes liderëve, u vërejt një gjuhë tjetër e Ramës karshi Kurtit.

Gjatë një bisede online qytetarë, Kurtin e kritikuan në Kosovë për çështjen e mungesës së energjisë, Rama e shfajësoi duke thënë se problemet me rrymë nuk janë të kësaj qeverie.

“Atyre që më përmendin Kosovën i them se Kosova ka halle shumë më të mëdha që janë të një natyre tjetër, që janë halle që vinë nga një strukturë tjetër e prodhimit të energjisë dhe nuk është çështja e Qeverisë sot” , kishte deklaruar Rama.

“Ne jemi në bashkëpunim të ngushtë me Kosovën për të dhënë e për të marrë, që të mbështesim njëri tjetrin dhe ta mbështesim Kosovën sa më shumë“ shtoi ai.

Në një intervistë për Der Spiegel që u publikua dje, Rama dha edhe një shenjë tjetër të afrisë me Kurtin duke e quajtur “vëllai im Kurti”.

Gazetarë edhe analistë të ndryshëm kanë provuar të japin një përgjigje për takimin në Tiranë duke përmendur një sërë arsyesh si bisedimet me Serbinë, sulmet kibernetike ndaj sistemeve në Kosovë e Shqipëri , çështjen e portit të Durrës, çështjet e bashkëpunimit energjetik përballë dimrit të vështirë që po paralajmëroht. Por duket se tema kryesore që po i mbizotëron këto raport është ajo e dialogut.

Kurti vetë nuk dha ndonjë sinjal se po i frikohet këtij procesi por duket këtë mesazh e përcolli mirë Glauk Konjufca, Kryeparlamentari i Kosovës, dje, gjatë takimit me homologen e tij.

Aty, ai përmendi një “proces të vështirë” të Kosovës në dialogun me Serbinë.

Në debatin publik në Kosovë dhe në kuloare flitet që Kurtit do t’i duhet të përballet me procesin e vështirë të bisedimeve ku do t’i kërkohen koncesione sidomos për çështjen e akomodimit të mëtejmë të serbëve. Amerikanët tashmë kanë filluar haptazi të thonë se tash i ka ardhur radha diskutimit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Ish-diplomatë amerikanë, si puna e emisarit të dikurshëm në bisedime Frank Wisner, ka deklaruar se Kosova kohë të gjatë e ka kërkuar njohjen dhe kjo nuk ka ndodhur. Ai ka theksuar duhet të gjendet një modus vivendi dhe të kërkohen objektiva të reja.

Kjo situatë, si duket e ka aktvizuar Ramën i cili po përpiqet t’ia bëjë më të lehtë “vëllait” punën e bisedimeve.

Së fundmi në mediat e Shqipërisë kanë filluar të shtohen lajmet për Kosovën, madje edhe ato me përmbajtje më të hollë për bisedimet Kosovë -Serbi, që në Shqipëri, në rrethana normale, nuk përbëjnë ndonjë interesim.

Të dielën, “Albanian Post” i gazetarit Baton Haxhiut publikoi një “kornizë të re”, për të cilën u tha se është e hartuar nga gjermanët dhe francezët dhe BE. Kjo kornizë parasheh një zgjidhje sipas modelit të dy Gjermanive që nuk adreson njohjen, por që normalizon raportet mes dy vendeve.

Gazeta Express ka informacione se Rama qëndron edhe prapa lajmeve që dolën së fundi se kishte një “plan për atentat ndaj Kurtit” nga një shtetas shqiptar.

Sado që informacionet për atentatin mund të kenë qenë kredibile, publikimi i tyre në këtë periudhë, mendohet se i shkon për shtati Kurtit, në një moment të presionit të madh diplomatik.

Kurti nuk ka komentuar rreth “kornizës së re” me arsyetimin se nuk komenton dokumente që nuk kanë autor. Por, ai theksoi se shkrime të tilla zakonisht bëhen për të matur pulsin e politikanëve por edhe të qytetarëve.

Pikërisht në ditën kur Kurti u deklarua rreth draftit, Rama që ndodhet në Nju Jork, realizoi një takim me ndërmjetësin e Kurtit e Vuciqit.

Lajcak që u prononcua për atë që foli la të kuptohet se Rama është mjaft i informuar.

“E falënderoj për të kuptuarit e thellë dhe mbështetjen për Dialogun”./GazetaExpress/