E vrau me 8 plumba dhe ia hodhi trupin nga ura në lumë, istogasi dënohet me 17 vite burgim

E publikuar: 13/12/2021 14:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kamber Bulleshkaj u dënua me 17 vite burgim nga Gjykata Themelore në Pejë, pasi u shpall fajtor për vrasjen e A.D. me tetë plumba, në shtator të vitit 2018 në fshatin Istog i Poshtëm.

Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, dënimi me burgim do të ekzekutohet pas 15 ditësh kur aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Kuka-Mekaj bëri të ditur se Bulleshkajt i vazhdohet masa e paraburgimit, kurse pala e dëmtuar u udhëzua në kontest civil.

Sipas aktakuzës së ngritur më 10 tetor 2019, Kamber Bulleshkaj më 12 shtator 2018, rreth orës 20:25 deri më 21:15, në shtëpinë e tij në fshatin Istog i Poshtëm, pikërisht në sallonin e shtëpisë së tij, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit A.D, me dashje e ka privuar nga jeta këtë të fundit.

Sipas aktakuzës, A.D kishte shkuar me veturën e tipit “BMW 120” në shtëpinë e të pandehurit, me qëllim që nga i njëjti të kërkonte një armë automatike-kallashnikov, e cila synohej të përdorej në një gazmend familjar dhe që me të, të festonin në fejesën e kushëririt të tyre.

Në aktakuzë thuhet se pasi tani i ndjeri shkon në shtëpinë e të pandehurit, pas mosmarrëveshjeve mes tyre, i pandehuri nga arma automatike e llojit të panjohur shtie disa herë në drejtim të tani të ndjerit, duke e goditur me tetë predha në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë e plagëve vdes në vendin e ngjarjes.

Sipas aktakuzës, më pas Bulleshkaj me veturën e tani të ndjerit, e merr trupin e tij e dërgon tek lumi i Shushicës, ku e hedhë atë nga ura, e pastaj me veturë vazhdon në drejtim të Mitrovicës, ku në lagjen “Bair” e braktisë veturën, derisa kufoma të gjendet rreth orës 15:05, në vendin e lartcekur.

Me këtë, ai thuhet se ka kryer veprën penale të “Vrasjes”, nga neni 178 i Kodit Penal, i cili parasheh dënimin me jo më pak se pesë vjet burgim. /BetimipërDrejtësi